Para

Sektori bankar në përmirësim, fitimet për 7-mujorin u rritën me 31%

Fitimi i sektorit bankar u zgjerua më tej me rreth 700 milionë lekë për muajin korrik, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Sektori bankar po raporton një performancë financiare më të mirë krahasuar me vitin e kaluar.

Rezultati financiar neto për 7-mujorin arriti në rreth 11.3 miliardë lekë ndërsa fitimi neto është rritur me 31% krahasuar me 7-mujorin e vitit 2020.

Kthimi nga kapitali i sektorit bankar, mesatarizuar me bazë vjetore, në fund të korrikut rezultoi 11.71%, nga 9.39% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe kthimi mesatar nga aktivet paraqitet i përmirësuar në 1.27%, nga 1.05% që kishte qenë një vit më parë.

Rritja e fitimeve dhe përmirësimi i rentabilitetit të sektorit bankar gjatë këtij viti pasqyron një ecuri pozitive të treguesit të kredive me probleme, që po vijon një rënie të ngadaltë dhe tashmë është në nivelet më të ulëta që prej vitit 2009.

Ekonomia po jep sinjale rimëkëmbjeje dhe përmirësimi i aktivitetit ekonomik ka ndikuar në ruajtjen e aftësisë paguese të huamarrësve, por edhe në rritjen e kredidhënies së re, sidomos në segmentin e individëve.

Deri në fund të 6-mujorit, të ardhurat nga komisionet u rritën me 22%, ndërsa të ardhurat neto nga interesat u rritën me 8.3%.

Të ardhurat nga komisionet u ndikuan ndjeshëm nga pandemia, sidomos në gjysmën e parë të vitit të kaluar. Rënia e volumit të veprimeve për shkak të krizës, por edhe kufizimet e mëdha të lëvizjes dhe orareve të biznesit sollën edhe rënien e ndjeshme të transaksioneve bankare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë