Vjeshtën e vitit të kaluar, deputetët e Partisë Demokratike në Komisionin e Ekonomisë thirrën për raportim në Kuvend Autoritetin e Konkurrencës pas rritjes së çmimit të grurit dhe miellit në treg, që u shoqërua më vonë me rritje të çmimit të bukës dhe produkteve të tjera të brumërave.
Konkurrenca iu disa muaj më vonë përmes dorëzimit të një raporti, ku megjithëse thuhej se tregu kishte trajta oligopoli, nuk kishte gjobitur tre kompanitë kryesore të importimit të këtyre produkteve. Autoritetit iu kërkua raporti i plotë i vendimmarrjes nga deputeti socialist, Erion Braçe.
Autoriteti dorëzoi në Kuvend një raport, por ai u cilësua nga deputetët e opozitës si gjysmak, të padobishëm dhe se “sekreti tregtar” ishte një justifikim i përdorur nga Konkurrenca për t’iu shmangur llogaridhënies dhe transparencës.
“Nëse vendimin e arsyetuar nuk e marrim të plotë ne një seancë normale nuk mund të bëjmë. Ose do të flasim për të gjithë informacionin që ka kërkuar Braçe dhe të gjithë të tjerët, ose nuk do të flasim fare për këtë. Ose të bëjmë një përmirësim te ligji për konkurrencën dhe funksionimin e Autoritetit të Konkurrencës të bëjë një ndryshim dhe të shtojmë edhe deputetëve kur e kërkojnë”, thanë ata.
Në atë debat, kreu i Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi tha se Autoriteti i Konkurrencës pengohej nga ligji për të dhënë informacionin e plotë.
“Ligji e ndalon për shkak se brenda raportit ka elementë të sekretit tregtar. Ne na është vënë në dispozicion një përmbledhje e raportit, të procesverbalit, duke hequr elementet e sekretit tregtar dhe në dispozicion janë të gjitha materialet e kërkuara”, deklaroi ai.
Shalsi iu referua nenit 30 të ligjit për konkurrencën, që lidhet me sekretin profesional. Në këtë ligj, anëtarëve të Autoritetit të Konkurrencës u ndalohet dhënia e të dhënave konfidenciale edhe për institucionet e tjera, përfshirë këtu Kuvendin. Përjashtim bën vetëm prokuroria dhe gjykatat.
Tashmë, opozita kërkon që të ndryshojë ligjin për mbrojtjen e konkurrencës dhe propozon që deputetët të vendosen në listën e personave që u lejohet me ligj që të kenë raportet e plota mbi vendimmarrjet e komisioneve të konkurrencës.

Në mbledhjen ku u shqyrtua rritja e çmimit të miellit dhe bukës, dy prej anëtarëve të këtij komisioni, Juliana Latifi dhe Eduard Ypi, votuan pro ndëshkimit me gjoba të kompanive importuese, ndërkohë që Leida Matja, Adriana Berberi si dhe Denar Biba votuan kundër gjobitjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



