Nga Gazeta Si – Durimi është shumë i nevojshëm për të ndjekur synimet tona, duke e pranuar faktin se përpjekjet e bëra sot, do të japin rezultate në të ardhmen. Ne e përmendim shumë shpesh këtë fjalë (dhe ndonjëherë në mënyrë të papërshtatshme) në pasthirrmat e njohura të tipit “Ki durim!”. Megjithatë, përcaktimi i këtij termi nuk dhe është aq i lehtë. Salman Akhtar, studiues në Qendrën Psikoanalitike në Filadelfia (SHBA), thotë se “durimi ka të bëjë me pranimin e realitetit të brendshëm dhe të jashtëm, në mungesë të pakënaqësisë, me ruajtjen e shpresës dhe me aftësinë për të pritur kohë më të mira pa ankth dhe nxitim”.
Pra këtu është çelësi i gjithçkaje: të dish të presësh. Në fakt, për durim ka nevojë i gjithë njerëzimi. Kështu për të blerë një abonim sezonal, për të ndjekur në stadium ndeshjet e ekipit të zemrës duhet të paguash menjëherë. Por duhet të dish të presësh për kënaqësinë e shikimit të ndeshjeve.
Dhe tek e fundit, pa pritje do të ishin të pamundura të gjitha transaksionet ekonomike: një person duhet të pranojë ta privojë veten nga një e mirë sot (para që mund t’i kishte përdorur në shumë mënyra) për të marrë një produkt tjetër (ushqimin e blerë në supermarket që do ta hajë më vonë gjatë ditës).
E njëjta gjë vlen edhe për bashkëpunimin ndërmjet individëve: nëse nuk do të dinim se si të prisnim për të marrë ndihmë, apo të kishim një shpërblim në këmbim të ndihmës së ofruar për të tjerët, bashkëpunimi nuk do të ishte i mundur. Por durimi është i nevojshëm edhe për aftësitë krijuese.
Isaac Newton tha dikur: “Në rast se unë kam bërë zbulime të rëndësishme, kjo ka ndodhur më shumë falë vëmendjes të shoqëruar nga durimi sesa në sajë të çdo lloj talenti tjetër”. Në fakt pa këtë cilësi, nuk do të ekzistonte një cilësi tjetër edhe më e rëndësishme: këmbëngulja.
Sepse durimi është thelbësor para së gjithash për të ashtuquajturat “zgjedhje ndër-kohore”, ato në të cilat njeriu e gjen veten duke vendosur midis një kënaqësie modeste, por të menjëhershme dhe një rezultati të rëndësishëm, por më të largët në kohë (A është më mirë një vezë sot, apo një pulë mot?).
Në veçanti, të qenit një njeri i durueshëm, e forcon aftësinë tuaj për të ngulmuar në ndjekjen e një qëllimi, sepse ju ndihmon të injoroni shpërqendrimet dhe tundimet. Rëndësia e madhe e durimit tek këmbëngulja u vërtetua nga eksperimenti i famshëm i Walter Mischel i Universitetit të Stanfordit në vitet 1960 që ka hyrë në histori si “Testi Marshmallow”: fëmijët që kishin durim të prisnin për të ngrënë ëmbëlsirën që u ishte vënë në dispozicion dhe fitonin si shpërblim më të madh (2 ëmbëlsira), në moshën madhore ishin më pak agresivë, më të shoqërueshëm dhe më të kënaqur me jetën.
Me pak fjalë, ata kishin më shumë vetëkontroll dhe kjo u jepte më shumë mundësi për të pasur sukses në studime dhe punë. Eksperimenti u përsërit vitet e fundit nga dy studiues nga Universiteti i Otavës në Kanada, të cilët përjashtuan përdorimin e ëmbëlsirave dhe vëzhguan vetëm sjelljen e fëmijëve 3 dhe 4 vjeç në një dhomë pritjeje.
U pa se më të duruarit, kishin rezultate më të mira në mësime në vitet në vijim. Megjithatë, ka njerëz që janë përgjithësisht të paaftë të kenë durim. Megjithatë tendenca për impulsivitet nuk është sigurisht një cilësi. Studimet tregojnë se ai është shumë i zakonshëm tek njerëzit e varur nga nikotina, por edhe nga droga.
Gjithashtu është një tipar i çrregullimit të defiçitit të vëmendjes dhe i zakonshëm tek njerëzit me depresion. Por nga pikëpamja shkencore, edhe padurimi nuk është i lehtë për t’u përcaktuar.
“Ne mund ta përshkruajmë atë si prirjen për të vepruar pa largpamësinë e duhur”, thotë Jeffrey Dalley, studiues në Universitetin e Kembrixhit në Britaninë e Madhe.
“Por edhe një përkufizim kaq i thjeshtë, nënkupton se padurimi është në fakt pasojë e dy mekanizmave neurologjikë: paaftësisë motorike për të penguar një veprim dhe dështimit për të vlerësuar pasojat e tij. Edhe në tru, këto dy procese janë të ndara dhe ndjekin rrugë të ndryshme nervore”, thekson ai.
Prandaj, mjafton të dështojë njëri prej këtyre mekanizmave, që ne të nisim të bëhemi disi të paduruar. Sipas një grupi studiuesish nga Universiteti i Okinawas në Japoni, aftësia për të pritur me durim marrjen e një shpërblimi është “falë” serotoninës, një neurotransmetues në trurin tonë, i cili prodhohet pikërisht kur ndodhin situata që kërkojnë durim.
Prandaj, të paduruarit mund të prodhojnë një nivel serotonine më pak se mesatarja. Dhe ekziston edhe një mekanizëm tjetër, këtë herë i lidhur me stilin e të menduarit. Në vitin 2017, një grup studiuesish të vendimeve njerëzore nga universitete të ndryshme amerikane, zbuluan se prirja për të pritur një shpërblim më të madh më vonë, në vend të dorëzimit ndaj impulsit për të pasur diçka menjëherë, varet shumë nga “stili” që adopton secili prej nesh për të analizuar informacionin që kemi në dispozicion kur duhet të bëjmë një zgjedhje.
Ka nga ata që janë më të përshtatshëm për të ashtuquajturin “stil krahasues”, pra duke shqyrtuar të mirat dhe të këqijat e secilit opsion. Por edhe nga ata që adoptojnë “stilin integrues”, pra duke e bashkuar të gjithë informacionin për të krijuar një ide të përgjithshme mbi skenarët që parashikon secili opsion.
Por pse është kaq e vështirë të jesh i durueshëm? Sepse, edhe në rastet më banale, durimi e ka një kosto. Një kosto e quajtur pritje. Në fakt, pritja na bllokon në një situatë (për shembull, në radhë për zyrën postare), dhe kjo përfshin heqjen dorë nga të bërit diçka ndryshe në atë hapësirë kohore.
Nuk është rastësi që një nga metodat për të rritur prirjen për të duruar, është të mësosh të shpërqendrosh veten në mënyrë efektive, kur e gjen veten në një situatë në të cilën nuk mund të bësh asgjë veçse të presësh (kjo është arsyeja pse përdorimi i celularit, është ajo që bëjnë pothuajse të gjithë kur janë për shembull në radhë).
Një kosto tjetër e zgjedhjeve që kërkojnë pritje, është pashmangshmëria e keqardhjes: edhe ata që diplomohen me sukses (dhe padyshim me sakrifica) pendohen për të gjitha mundësitë e humbura në kohën e lirë që nuk e patën. Pendimet për heqjen dorë nga kënaqësia e menjëhershme, bëhen më të rëndësishme me kalimin e viteve.
Dhe ky nuk është një fenomen psikologjik që prek vetëm të moshuarit. Ai ndodh edhe me ata tek të 30-at: kur mendoni për sukseset që sapo keni arritur, e përgëzoni veten që keni qenë në gjendje të prisni, por nëse kjo ka të bëjë me zgjedhje dhe suksese që kanë ndodhur vite më parë, ju do të vlerësoni me shumë të gjitha sakrificat e bëra dhe do të pendoheni pak për gjerat që ndërkohë i keni humbur.
Burimi: Focus. Përshtati në shqip: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



