Sezon i ri, e njëjta jetë. Në Çmimin e Madh të Bahrejnit, gara e parë sezonale e Formula 1, Ljuis Hemilton u rinis nga shkalla më e lartë e podit. Tashmë është në ADN-në e tij të fituesit ajo çka e lejon të arrijë edhe suksesin që dukej se ishte në duart e rivalit Vershtapen.
“Maks ishte fantastik gjatë gjithë fundjavës, duhej të bëja diçka speciale për të fituar garën”, – tha pas garës piloti anglez. Përulësi, por edhe mendje e kthjellët, talent, pak fat dhe ndonjë… sekret.

Vështirësi në teste, pastaj një garë thuajse perfekte. Agresiv kur duhet, Ljuis Hemilton është një magjistar i qetësisë në administrimin e situatave. Për këtë e ndihmojnë ushtrimet e “stretching”-ut dhe joga, thelbësore më shumë se gjithçka për t’u relaksuar fizikisht. “Muskujt shërbejnë mbi të gjitha në pjesën e poshtme të trupit. Më pëlqen të ngre pesha në palestër, por pa e ekzagjeruar. Një pilot nuk mund të jetë shumë i rëndë”, – ka shpjeguar anglezi pak kohë më parë. Edhe vrapi është i rëndësishëm: “Më argëton dhe është i dobishëm, në punë duhet rezistencë”.
Kampion lind mund të thotë dikush, por në kohët e sotme dhurata e nënës natyrë nuk mjafton. “Talenti përfshin inteligjencën taktike, nëse ke shumë talent, mund të vendosësh ti sa duhet të impenjohesh. Sena dhe Shumaker kanë pasur etikë të madhe pune, kjo është arsyeja pse kanë arritur suksese. Unë i mëshoj kësaj mënyre pune. Nuk di ta them me përqindje, por në F.1 kam zbuluar se edhe pse po fitoj, duhet të punoj shumë”.
Pas titullit të 7-të botëror, në dhjetor Hemilton kaloi edhe Covid-in: “Më dhembte i gjithë trupi, nuk jam ndjerë kurrë aq i lodhur. Gjatë izolimit humba 4 kilogramë dhe trupin nuk e kisha në rregull”. Një ndalesë e detyruar para një rinisjeje të veçantë, kalimin në sezonin e ri.

Në janar britaniku postoi disa foto të përgatitjeve që bënte në lartësi të mëdha. Stërvitje e fortë e bazuar te skitë. “Po përpiqem të gjej ekuilibrin e duhur mes kardios dhe përmirësimit të forcës, kështu jam mirë nga ana fizike dhe mendore”, – u shpjegonte ai tifozëve.
Pas përgatitjes në mal vjen deti, për të çliruar mendjen dhe për t’u argëtuar me sërf, – duke perfeksionuar ekuilibrin, – pak javë para nisjes së sezonit. “Sërfi është një nga sportet e mia të preferuara, më pëlqen të ndjej oqeanin rreth meje. Ishte një pauzë impenjative, por të qenit mes dallgëve më çliron”, – shkruan Hemilton në foton e postuar duke bërë sërf. “Nëse keni një ëndërr, mos lejoni askënd që t’u thotë se ajo nuk mund të realizohet”, – vazhdon ai më tej, ndoshta duke iu referuar titullit të tetë botëror.

Në tavolinë ka pak fantazi. Në 2017-ën piloti i Mercedesit njoftoi ndryshimin e madh në jetën e tij: “Jam vegjetarian dhe për mua është një ndryshim i madh. Paraqitja përmirësohet gradualisht, në mënyrë që trupi të përmirësohet”. Për kampionin ka një dietë të bazuar te frutat, perimet dhe drithërat. Hemilton ka thënë se me stilin e ri të jetës, ndryshimi ka qenë evident brenda dhe jashtë pistës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




