Gazeta Si – Gazeta amerikane “Wall Street Journal” thotë se Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, Pete Hegseth, ka përdorur gjerësisht shërbimin e mesazheve “Signal” dhe më gjerësisht se sa ishte zbuluar më parë, për aktivitetetet zyrtare të Pentagonit.
“Signal”, megjithëse i koduar, nuk është i autorizuar nga qeveria për komunikime që ndajnë informacione të klasifikuara, të tilla si planifikimi i një operacioni ushtarak. “Wall Street Journal”, në artikullin e saj, citon burime që thuhet se janë të vetëdijshëm se si Hegseth e menaxhon punën e tij.
Hegseth u përfshi në një skandal që në mars, kur redaktori i revistës “Atlantic”, Jeffrey Goldberg, gabimisht u shtua në një bisedë të vogël në grup në “Signal”, ku disa nga zyrtarët më të lartë të qeverisë po planifikonin sulmin e 15 marsit në dhjetëra pozicione ndaj Houth-ëve në Jemen.
Më pas, në prill, “New York Times” raportoi se si Sekretari i Mbrojtjes kishte ndarë informacione të detajuara për të njëjtin sulm në një bisedë të dytë në “Signal”.
Tani, “Wall Street Journal” pretendon se ai përdori “Signal”-in për aktivitetet zyrtare të Pentagonit, duke marrë pjesë në të paktën një duzinë bisedash.
Në një rast, Hegseth dyshohet se i kërkoi stafit të tij nëpërmjet “Signal” të informonte qeveritë e huaja për një operacion ushtarak në vazhdim.
Hegseth thuhet gjithashtu se përdori shërbimin e mesazheve për të diskutuar paraqitjet e tij në media, udhëtimet e huaja dhe angazhimet e tjera – informacion që është i paklasifikuar, por ende i ndjeshëm.
Ish-prezantuesi i “Fox News” thuhet se krijoi vetë shumë nga këto biseda, duke dërguar mesazhe nga një linjë e pasigurt në zyrën e tij në Pentagon dhe nga telefoni i tij personal.
Rasti i zbuluar nga Goldberg kishte çuar tashmë në thirrje për dorëheqjen e të përfshirëve në mars dhe Ministria e Mbrojtjes kishte hapur një hetim të brendshëm për sjelljen e Hegseth.
Presidenti Donald Trump deri më tani ka mbrojtur Hegseth, duke thënë se ai po bën “një punë të shkëlqyer” dhe duke i quajtur shqetësimet për zbulimin e informacionit të ndjeshme, “një humbje kohe”.
Megjithatë, javën e kaluar Trump hoqi nga posti Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, pa dhënë asnjë shpjegim: sipas disa gazetave, arsyeja ishte skandali i gazetarit i shtuar gabimisht në bisedën e kufizuar në të cilën diskutoheshin planet ushtarake.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.