Futboll

Sekretari i Ligave Europiane viziton Tiranën, vlerëson rritjen e futbollit shqiptar

Gazeta Si – Sekretari i Përgjithshëm i Ligave Europiane, Alberto Kolombo, ka bërë një vizitë pune në Shqipëri. Ai është takuar me drejtuesit e FSHF-së dhe anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit. Ligat Europiane është një nga organizatat më të rëndësishme të futbollit, ka mbi 40 anëtarë dhe bashkëpunon me UEFA-n.

Kolombo ka vlerësuar rritjen e futbollit shqiptar dhe organizimin e klubeve në një institucion që mbron të drejtat e tyre. Ai bëri edhe një vizitë në kompleksin “Partizani”, ku u prit nga drejtuesit e klubit dhe u njoh me investimin e kryer.

Pastaj vizita e tij vazhdoi në “Air Albania”, ku u takua me oresidentin e FSHF-së, Armand Duka dhe drejtues të tjerë të futbollit shqiptar. Në takim pati diskutime për benefitet e anëtarësimit të LPF-së në Ligat Europiane dhe për mbështetjen konkrete që organizata e njohur mund t’u japë klubeve shqiptare.

“Ishte një takim interesant, mundësia e parë për Ligat Europiane që të zhvillonim këtë vizitë në bashkëpunim me Ligën Profesioniste të Futbollit. Kemi përgëzuar iniciativën për krijimin e kësaj lige, pasi është një hap thelbësor në procesin e zhvillimit të futbollit profesionist.

Ishte shumë interesante për mua të kuptoja se bashkëpunimi mes klubeve, Ligës dhe FSHF-së shkon në të njëjtin drejtim. Jam shumë i kënaqur që kam parë nga afër zhvillimin madhor të futbollit në Shqipëri. Jemi shumë të lumtur që LPF-ja ka vendosur të bëhet anëtare e Ligave Europiane dhe ne besojmë se ky hap do t’i ndihmoj klubet të rrisin më tej standardizimin e futbollit profesionist në vend”, – tha Kolombo.

Edhe kryetari i LPF-së, Edvin Libohova, u shpreh i kënaqur për mundësinë e organizimit të këtij takimi mes klubeve dhe zyrtarit të Ligave Europiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë