Nga Gazeta ‘SI’ – Në një fjalim përkrah drejtuesve të BERZH, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko bëri thirrje për rishikim të politikave të qeverisë dhe biznesit, përballë asaj që ai e cilëson si “peizazh global në ndryshim”.
Sejko tha se fokusi duhet të jetë në industritë e së ardhmes dhe tek njeriu, si qeliza bazë e fuqisë punëtore. Ai sugjeroi që qeveria të subvencionojë kompanitë inovatore me potencial dhe vende pune.
“…ndihma shtetërore duhet të fokusohet te firmat me potencial të lartë. Të dhënat tregojnë se firmat e reja dhe dinamike janë nxitëset kryesore të punësimit dhe inovacionit. Politika të orientuara për stimulimin e tyre, të tilla: si garancitë e kredive, huatë me interesa të subvencionuara apo fondet e kapitalit sipërmarrës të mbështetura nga shteti, mund të sjellin një ndryshim të madh”, tha Guvernatori.
Ndër të tjera, ai theksoi se edhe pse nuk është punë e Bankës së Shqipërisë, roli i saj në drejtimet e zhvillimit është i pazëvendësueshëm.
“Sot, mund të themi se ekonomia shqiptare po vazhdon të rritet – PBB-ja u rrit me 4% në vitin 2024, inflacioni mbetet në 2%, kreditimi privat është rritur me 16.7%, dhe raporti i kredive me probleme ka rënë në nivelin historik 4%. Kjo pasqyron një sistem financiar të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe të aftë të mbështesë sektorin real. Stabiliteti i çmimeve, sistemet financiare funksionale, një sektor bankar dhe një sistem pagesash modern që i shërben ekonomisë reale — janë parakushte të rëndësishme për investim afatgjatë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Në përfundim, ju ftoj të jemi ambiciozë, por të kujdesshëm; të hartojmë politika industriale të zgjuara dhe gjithëpërfshirëse, që përputhen me aspiratat tona afatgjata. Mbi të gjitha, duhet të investojmë jo vetëm në sektorët e ekonomisë, por edhe te njeriu, si qeliza bazë e fuqisë punëtore, si dhe te institucionet dhe infrastruktura që do të definojnë Shqipërinë e së nesërmes, në rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian, si një hapësirë mundësish për një transformim të pandërprerë”, përfundoi Gent Sejko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.