Ekonomi

Sejko thirrje bankave tregtare: Stimuloni përdorimin e lekut dhe ofroni shërbime edhe për fshatin!

Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë një takimi me bankat tregtare në vend, Guvernatori i Bankës qendrore, Gent Sejko u bëri thirrje atyre të stimulojnë përdorimin e lekut, për ta bërë politikën monetare më efektive për ekonominë.

“Intensifikimi i përpjekjeve për nxitjen e përdorimit të monedhës Lek për depozitat dhe huatë do të reduktonte varësinë nga monedhat e huaja dhe ekspozimin ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, si dhe do të nxiste efektivitetin e politikës monetare në vend”, u shpreh Sejko duke ripërsëritur për bankat edhe rrezikun e rritjes së shpejtë të kredisë.

Ndër të tjera, Sejko theksoi se sistemi bankar duhet të fokusohet dhe në zonat rurale ku ka banorë dhe biznese që nuk marrin dot shërbime financiare apo kredi.

“Adoptimi i teknologjive inovative nevojitet të përshpejtohet me ritme të krahasueshme me tregjet më të avancuara. Bankat duhet të vazhdojnë të investojnë në teknologji, duke theksuar nevojën për zgjidhje bankare digjitale për të përmirësuar përvojën e klientit, për të adresuar sfidat e sigurisë kibernetike dhe rritur besimin e klientëve në shërbimet online. Banka e Shqipërisë ju inkurajon të rrisni financimin për projekte të gjelbra dhe të qëndrueshme. Vëmendje e veçantë nevojitet veçanërisht lidhur me përputhshmërinë me kërkesat dhe masat ndaj parandalimit të pastrimit të parave (PPP) dhe financimit të terrorizmit (PFT), të cilat kërkojnë përpjekje dhe investime të vazhdueshme nga ana juaj”, tha Guvernatori i Bankës gjatë takimit me përfaqësues të sistemit bankar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë