Ekonomi

Sejko: Të koordinohen politikat fiskale dhe monetare për të ulur kostot e inflacionit në ekonomi

Nga Gazeta ‘SI’Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka ripërsëritur rëndësinë e koordinimit të politikave monetare dhe fiskale në Shqipëri për të mbrojtur aktiviteti ekonomik të vendit.

Gjatë forumit të Euromoney, për vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, Sejko theksoi se këto politika duhet të jenë në koordinim me njëra–tjetrën, duke synuar kontrollin dhe kthimin në objektiv të inflacionit, me një kosto sa më të ulët mbi aktivitetin ekonomik. Në këtë kontekst, konsolidimi fiskal në Shqipëri ka shkuar në linjë me normalizimin e politikës monetare. Megjithatë, brenda hapësirave të saj, politika fiskale ka pasur një rol parësor për zbutjen e ndikimit të goditjes në ekonominë shqiptare.

Ai shtoi se ruajtja e stabilitetit financiar kërkon përfshirjen e vazhdueshme dhe aktive të aktorëve të tjerë institucionalë.

Guvernatori u shpreh se detyra e bankave qendrore për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të ekonomive bëhet më komplekse, në prani të goditjeve të huaja të ofertës, si rritja e çmimeve në tregun e huaj, goditje e cila buroi nga agresioni i papritur ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës dhe që kërcënoi stabilitetin e çmimeve kudo në botë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë