Nga Gazeta ‘SI’ – Përkundër shqetësimeve reale të eksportuesve shqiptarë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një takim me ta u shpreh se forcimi i lekut dhe rënia e euros tregon përmirësimet strukturore të ekonomisë dhe të tregjeve financiare shqiptare. Para pak ditësh shtatë shoqata eksportuese, prodhuese dhe të sektorit të turizmit ngritën alarmin për efektet negative nga zhvlerësimi i lartë i monedhës europiane nëpërmjet një letre drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë znj. Delina Ibrahimaj. Bizneset kërkuan normalizim të situatës nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave.
Por sot Sejko tha se ka një rritje të besimit në monedhën vendase. Guvernatori shtoi se tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative çka sugjeron se forcimi i kursit të këmbimit të lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar.
Përballë eksportuesve të shqetësuar për biznesin e tyre, Sejko tha se euro e ulët nuk ka cenuar rritjen e eksporteve shqiptare përkundrazi, ai ka ndihmuar në kontrollin e inflacionit në vend, i cili ka qenë dhe mbetet më i ulti në rajon, duke ndihmuar në ruajtjen e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare. Si rrjedhojë, Shqipëria pati një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon gjatë vitit 2022.
Banka e Shqipërisë i tha eksportuesve të jenë vazhdimisht të kujdesshëm në strategjitë dhe planet e tyre të biznesit, si dhe të bashkëpunojnë sa më ngushtë me industrinë financiare, e cila ofron instrumentet e duhura për t’u mbrojtur ndaj këtyre rreziqeve.
“Sektori ynë bankar ofron prej kohësh instrumentin e kontratave të së ardhmes, të cilat ofrojnë mbrojtje ndaj lëvizjeve të forta dhe të padëshirueshëm të kursit të kursit të këmbimit. Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme për t’ju ndihmuar me trajnime dhe ekspertizë për përdorimin e këtyre instrumenteve” – u shpreh Guvernatori.
Nga ana e eksportuesve të pranishëm ishin Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Turizmit Lumtor Shkreli, Bashkimi i Industrialistëve në Shqipëri, Edvin Prence dhe Florjon Zekja, Shoqata Proeksport Albania, Filip Gjoka, Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike.
Në këtë takim mori pjesë gjithashtu dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.
Në vijim u dakortësua për zhvillimin e një takimi të përbashkët me këto shoqata dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave për të vlerësuar situatën dhe për të parë mundësitë e mbështetjes së mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.