Ekonomi

Sejko: Rënia e popullsisë do vazhdojë dhe do ndikojë politikën monetare. Na duhen reforma!

Nga Gazeta ‘SI’ – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një konferencë të përbashkët me përfaqësues të BERZH, u shpreh se presionet demografike në Shqipëri pritet të vazhdojnë dhe kjo do të ushtrojë presion mbi vendimet monetare.

“Studimet tona tregojnë se këto prirje ka të ngjarë të ushtrojnë presion në rënie mbi normat reale të interesit. Ky mjedis kufizon efektivitetin e politikës monetare konvencionale, pasi normat e ulëta të interesit u lënë bankave qendrore më pak hapësirë për të stimuluar ekonominë. Në të njëjtën kohë, ndryshimet demografike mund të shkaktojnë ndërlikim edhe të dinamikave të inflacionit. Në të gjitha vendet në zhvillim të Evropës, popullsitë në plakje dhe tkurrja e fuqisë punëtore rëndojnë mbi rritjen ekonomike. Megjithatë, përgjigjja e politikave kërkon veprim të koordinuar dhe vullnet politik”, tha Sejko.

Ai theksoi se Shqipëria e ka përballuar mirë krizën demografike dhe kërkesat e tregut të punës, por ka paguar “koston” e pagave më të larta dhe inflacionit.

Më tej, kreu i Bankës qendrore, e mbylli fjalën e tij me një thirrje për qeverinë, për të reformuar sistemin e pensioneve, hartimin e politikave të migracionit etj.

“ Të gjitha këto nënkuptojnë përqafimin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, në mënyrë të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse. Mbi të gjitha, brezat e rinj duhet të mbeten në qendër të vendimmarrjes ekonomike”, përfundoi Gent Sejko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë