Nga Gazeta ‘SI’ – Në një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, ambasadori i ri i Spanjës, Gabriel Cremades Ventura shprehu mbështetjen ndaj vendit tonë, në procesin e integrimit në BE.
Guvernatori Gent Sejko i prezantoi Ambasadorit panoramën ekonomike të vendit, duke u shprehur se ekonomia shqiptare dhe treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar të saj janë në një trend pozitiv zhvillimi.
“Zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend kanë qenë pozitive gjatë vitit 2025. Aktiviteti ekonomik është rritur, inflacioni është stabilizuar në nivele të ulëta, tregjet financiare kanë qenë të qeta me kushte financimi akomoduese. Gjithashtu parashikimet për zhvillimet ekonomike në të ardhmen mbeten pozitive,”- u shpreh Guvernatori.
Ambasadori theksoi rëndësinë e zbatimit të reformave ekonomike e strukturore, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Spanjën si partner strategjik, në fushën e marrëdhënieve tregtare dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Ai theksoi se nëpërmjet politikës së saj monetare, Banka e Shqipërisë ka krijuar kushte të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit në objektiv, duke siguruar njëkohësisht një ambient financiar të shëndetshëm e kreditim të bollshëm.
Në përfundim, Guvernatori dhe Ambasadori ndanë të njëjtin mendim mbi vullnetin e tyre për të zhvilluar më tej bashkëpunimin midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Spanjës, kryesisht në fushën e sistemit financiar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



