Guvernatori Genc Sejko bëri thirrje sot për më shumë kujdes me politikat monetare që ka paralajmëruar të vërë në jetë qeveria shqiptare. Deklaratat Sejko i bëri sot gjatë konferencës ‘’Pandemia dhe Rimëkëmbja’’ organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Sejko, i cili foli për situatën ekonomike gjatë pandemisë dhe strategjitë e perballjes, tha se bankat qendrore kanë dalë jashtë kornizave në këtë moment duke aktivizuar një politikë monetare ekspansioniste mbështetur në bilancin e bankës qendrore.
Sejko rikujtoi krizën ekonomike të 2008-ës ku bankat hodhën në treg sasi të mëdha likuiditeti duke blerë cdo letër me vlerë apo të pasurisë që tregtohej. Në të njëjtën mënyrë shihet edhe situata e pandemisë nga bankat duke menduar zgjerimin e bilancit.
Guvernatori tha se është normale që ekspertët të kenë pikëpyetje mbi zbatimin e këtyre politikave jokonvencionale në ekonomitë e vogla, me shkallë të lartë euroizmi dhe monedhë të dobët, si rasti i vendit tonë.
BSH-ja nuk ndërmori politika të tilla sepse kishte hapësirë për një ekspansion monetar nëpërmjet uljes së normës së interesit.
Sejko e mbylli fjalën e tij duke thënë se ndryshimet e propozuara në ekonomi do të vërtetohen nga rezultatet e bankave qendrore që i kanë aplikuar .
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.