Ekonomi

Sejko në Prishtinë: Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri sjellë përfitime për të gjithë rajonin

Nga Gazeta ‘SI’ – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një takim me homologun e tij në Kosovë, Ahmet Ismaili, u shpreh se problemi më i madh i ekonomisë së dy vendeve mbetet mungesa e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë.

Duke përmendur ndryshimet demografike si një pengesë për të dyja ekonomitë, Sejko bëri thirrje për bashkëpunim më të gjerë të bankave qendrore Shqipëri-Kosovë.

Guvernatori u shpreh se ekonomitë e dy vendeve kanë një strukturë relativisht të ngjashme të organizimit të sektorit privat, si dhe të sistemeve financiare përsa i përket natyrës dhe fazës së zhvillimit të tyre të dominuara kryesisht nga bankat, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendeve.

“Sfidat që mbart e ardhmja, ndikohen nga zhvillimet demografike, edukimi dhe përfshirja financiare, zhvillimet klimatike dhe mjedisore, financa e gjelbër, si dhe digjitalizimi i shpejtë i financës dhe parasë, të cilat konsiderohen si elemente të rëndësishme të zhvillimit të qëndrueshëm. Përfshirja financiare dhe edukimi financiar përbëjnë një objektiv të rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen”, tha Guvernatori shqiptar në takim.

Në përfundim, Sejko u shpreh se bashkëpunimi në fushat e  politikës monetare, mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, sistemeve të pagesave, etj. midis Shqipërisë dhe Kosovës mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për forcimin e stabilitetit financiar në rajon.

“Për më tepër, bashkëpunimi midis dy bankave qendrore duhet të shtrihet jo vetëm në aspektin kërkimor dhe të analizës, por edhe në gjenerimin e produkteve e strategjive të përbashkëta në fushat e bankingut qendror, sidomos në drejtim të sfidave të ardhshme globale, si dhe në funksion të një konvergjence më të shpejtë drejt BE-së.”- tha Guvernatori Sejko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë