Ekonomi

Sejko: Mosrritja e çmimit të energjisë minimizoi presionet e inflacionit të jashtëm. Situata mbetet e pasigurt

Nga Gazeta ‘SI’ – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka treguar se një ndër faktorët kryesorë që ka minimizuar efektin e presioneve të huaja inflacioniste ka qenë rregullimi i çmimit të energjisë, duke mbrojtur familjet shqiptare dhe shtresat në nevojë. Por ai theksoi se presioni mbetet prezent në çmimet e mallrave dhe shërbimeve që prodhohen në vend, por me kosto të rritur. Element që sipas Sejkos ka prekur tashmë edhe tregun e punës dhe kapitalit.

Në Workshop-in e Kërkimeve Ekonomike në Europën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë, Guvernatori tha se rritja e normës është e vetmja përgjigje që BSH mund të japë në këtë situatë pasigurie dhe duke garantuar se niveli momental i rritjes së normës nuk do të sjellë recesion në ekonominë shqiptare.

“Pa një përgjigje të fortë dhe të vendosur të politikës monetare, pritjet për inflacionin ndikojnë në ecurinë e ardhshme të tij, duke çuar në rritje të pasigurisë, sinjale jo të duhura për çmimet, shpërndarje joefektive të burimeve, rënie të rritjes ekonomike dhe në luhatshmëri afatgjatë të lartë. Më e rëndësishmja, projeksionet tona, të cilat përfitojnë nga të njëjtat modele dhe analiza të kërkimit, sugjerojnë se raundi aktual i rritjeve të normës bazë të interesit nuk do të çojë ekonominë në recesion”, – u shpreh Sejko.

Ai parashikoi se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm. Në këtë drejtim, rritja aktuale e normës bazë të interesit, e cila ka për qëllim të ruajë stabilitetin e çmimeve dhe të ankorojë pritjet për inflacionin, është njëkohësisht një masë për të mbrojtur jo vetëm ekonominë, por edhe sektorin privat e individët nga efektet negative të tij. Kjo është veçanërisht e vërtetë dhe e rëndësishme për shtresat e popullsisë me të ardhura të ulëta, të cilat janë goditur më shumë nga efektet negative të inflacionit të lartë e të qëndrueshëm.

“Megjithatë, publiku i gjerë duhet të kuptojë se parashikimi për të ardhmen është objekt i një pasigurie të lartë. Mekanizmat e amplifikimit, mund të vijnë nga kanale të shumëfishta, për shkak të ndërveprimeve të ngushta brenda sistemit financiar global. “


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë