Nga Gazeta ‘SI’ – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, rikonfirmoi se ekonomia e vendit do të ketë ecuri pozitive, ndonëse në një mjedis inflacionist ende të pasigurt.
Në një takim me delegacionin e Bankës Qendrore Europiane në Tiranë, Sejko theksoi se parashikimet pozitive lidhen me vijimin e procesit të normalizimit të politikës monetare, por shpejtësia e këtij normalizimi do të varet nga zhvillimet e reja, ecuria e presioneve inflacioniste dhe balanca e rreziqeve mbi to.
Guvernatori nënvizoi se rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2022 ka sjellë rritje të shpejtë të inflacionit në vend. Megjithatë, kjo rritje është shfaqur e kontrolluar, si pasojë e reagimit të politikës monetare, e forcimit të kursit të këmbimit dhe e kontrollit të çmimeve të energjisë elektrike. Në të njëjtën kohë, aktiviteti ekonomik në vend, punësimi e pagat, kanë vijuar të rriten.
Lidhur me tregjet financiare, Guvernatori u shpreh se ato vazhdojnë të jenë të qeta. Kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka pasur tendenca forcimi, ndërsa transmetimi i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare po shfaqet gjithnjë e më i plotë. Megjithatë, kredia për sektorin privat vijon të rritet dhe bilancet e sektorit bankar mbeten të shëndetshme.
Sejko përmendi dhe mbështetjen 400 mln euroshe nga BQE si linjë likuiditeti, e cila ndonësenuk ka qenë e nevojshme të përdoret, mbetet instrument i dobishëm në kuadër të pasigurive të shtuara në ekonominë globale dhe tregjet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



