Nga Gazeta ‘SI’ – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka treguar se mbiçmimi i lekut në vendin tonë ka mbajtur inflacionin më të ulët se në vendet e rajonit, pasi goditjet e jashtme janë reduktuar përballë monedhës vendase.
“Monedha jonë, leku, është mbiçmuar mesatarisht me 2.5% kundrejt euros gjatë vitit 2022, për shkak të të ardhurave të forta nga turizmi, Investimeve të huaja të larta dhe primeve të qëndrueshme të rrezikut në tregjet tona financiare vendase. Kjo sjellje është përforcuar më tej nga një konvergjencë e ciklit të politikës sonë monetare me atë të Eurozonës. Paralelisht me të, çmimi i rregulluar i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë në Shqipëri ka ndihmuar në absorbimin e presioneve të huaj”, -tha Sejko në konferencën e Bankës Kombëtare të Austrisë për Integrimin Ekonomik Europian 2022.
Guvernatori Sejko nënvizoi se politika monetare duhet të orientohet drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, si një kusht për stabilitetin financiar dhe për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit në afatin e gjatë.

Sejko u shpreh se nga analizat e BSH-së, sektori bankar shfaqet likuid, i mirëkapitalizuar dhe rezistent ndaj goditjeve, si në skenarin bazë ashtu edhe në skenarët teorikë më ekstremë. Kjo rezistencë, sipas tij, pasqyron, efektet pozitive të reformave strukturore të ndërmarra në drejtim të përmirësimit të mbikëqyrjes dhe rregullimit bankar, të konsolidimit të sektorit bankar, të fuqizimit të rrjeteve të sigurisë, si dhe të përmirësimit të sistemeve të brendshme të kontrollit të vetë bankave.
Megjithatë, Guvernatori theksoi se Banka do të vazhdojë të mbetet e vëmendshme ndaj çdo rreziku potencial mbi stabilitetin financiar, duke synuar marrjen në kohë të masave të nevojshme për garantimin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



