Nga Gazeta ‘SI’ – Banka e Shqipërisë paralajmëron se konflikti ushtarak dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme përbëjnë një burim të fortë rreziku dhe pasigurie për ekonominë globale dhe atë shqiptare.
Në një konferencë për mediat, guvernatori Gent Sejko tha se ndikimi i plotë i luftës në Lindjen e Mesme, në ekonominë shqiptare mbetet ende i paqartë.
Sipas tij, konflikti ka shkaktuar rritje të menjëhershme dhe të ndjeshme të çmimeve të naftës dhe produkteve të tjera energjitike në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, kohëzgjatja dhe intensiteti i kësaj situate, si dhe mënyrat indirekte të transmetimit të saj në ekonominë vendase, janë të vështira për t’u parashikuar me saktësi.
Sejko paralajmëroi se, nëse konflikti zgjatet dhe përshkallëzohet, ai mund të kthehet në një goditje serioze të ofertës, e ngjashme me pasojat që pasuan Lufta në Ukrainë. Një skenar i tillë do të sillte rritje të inflacionit dhe ngadalësim të rritjes ekonomike në vend.
“Ky konflikt ka sjellë një rritje të shpejtë e të fortë të çmimit të naftës dhe të produkteve të tjera energjitike në tregjet botërore. Kohëzgjatja, intensiteti dhe kanalet indirekte të transmetimit të kësaj goditjeje në ekonominë shqiptare janë të vështira për t’u vlerësuar me një shkallë të pranueshme sigurie. Gjithsesi, zgjatja në kohë dhe rritja e intensitetit të këtij konflikti, mund ta shndërrojnë atë në një goditje serioze oferte, të krahasueshme me atë që pasoi fillimin e luftës në Ukrainë gjatë vitit 2022. Në ngjashmëri me këtë episod, kjo goditje do të kishte pasoja negative në inflacion dhe në rritjen ekonomike të vendit në të ardhmen”, – tha Sejko.
Megjithatë, në një panoramë më të gjerë, zhvillimet ekonomike, monetare dhe financiare të muajve të fundit mbeten në përputhje me pritshmëritë e institucionit, duke treguar se ekonomia shqiptare vijon një trend pozitiv.
Në mungesë të goditjeve të forta nga jashtë, Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të rikthehet gradualisht në objektiv gjatë vitit 2026, ndërsa rritja ekonomike të mbetet e qëndrueshme. Kjo rritje pritet të mbështetet nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit, si dhe të shoqërohet me rritje të punësimit dhe pagave.
Në këto kushte, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mos ndryshojë politikën monetare, duke mbajtur normën bazë të interesit në nivelin 2.5%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje