Guvernatori Gent Sejko në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë ka deklaruar se BSH e konsideron rrezik primar nivelin e lartë të inflacionit.
“Për këtë arsye kemi ndërmarrë normalizim gradual të politikës monetare, është rritur 4 herë norma bazë e interesit duke e sjellë atë nga niveli minimal historik prej 0.5% në nivelin aktual prej 2.25%”, theksoi Sejko.
Sejko shtoi se inflacioni në Shqipëri shënoi rritje të shpejtë në 2022 duke arritur në 8% gjatë 3 mujorit të tretë, niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 1998.
“Ndonëse inflacioni në Shqipëri paraqitet i ulët, si në kontekstin rajonal dhe në atë evropian, duke pasqyruar ecurinë e fortë dhe të qëndrueshme të kursit të këmbimit dhe çmimet e rregulluara të energjisë elektrike për familjet, baza e tij ka ardhur në rritje e zgjerim.
Pjesa më e madhe e artikujve të shportës shfaqin një normë inflacioni ndjeshëm mbi objektivin tonë 3%. Artikujt e shportës me normë më të lartë inflacioni nuk janë vetëm mallra e shërbime me origjinë importi por dhe produkte që vlerën e shtuar e gjenerojnë në vend.
Për qeveritë tensioni ekonomik e social që sjell inflacioni mbi shtresat më të varfra atrikulohet në kërkesa të shtuara për mbështetje fiskale. Plotësimi i këtyre kërkesave bëhet problematik sa kohë financat publike janë nën presionin e pasigurisë per të ardhmen dhe të kostove të rritura të financimit të borxhit”, shtoi Sejko.
Ndonëse presionet inflacioniste burojnë në masën më të madhe nga goditje të huaja të ofertës, thekson Sejko, ato kanë filluar të transmetohen tashmë në strukturën e kostove të ekonomisë shqiptare dhe në pritjet për inflacion të agjentëve ekonomikë.
“Për këtë arsye, ekonomia shqiptare rrezikon të përjetojë një periudhë të gjatë me inflacion të lartë, në mungesë të reagimit të politikës monetare”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



