Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në fjalën e tij në prezantimin e Raportit të Tranzicionit të BERZH-it u ndal tek sfidat ekonomike që pas luftës në Ukrainë.
Ai tha se ky konflikt ishte një goditje e fortë oferte për thuajse gjithë kontinentin europian e cila u pasqyrua në rritje të inflacionit dhe të pasigurisë, në përkeqësim të termave të tregtisë, në thellim të deficiteve të llogarisë korrente, si dhe në shtrëngim të kushteve financiare.
Sejko u shpreh se stabiliteti afatmesëm dhe afatgjatë i çmimeve ka qenë dhe mbetet objektivi prioritar i punës së Bankës së Shqipërisë.
“Për këtë arsye, ne nisëm herët dhe ndoqëm në mënyrë konsekuente një proces normalizimi të qëndrimit të politikës monetare.
Ky proces u materializua në rritje progresive të normës bazë të interesit, në komunikim të hapur të pritjeve tona për të ardhmen, si dhe në rikonfirmim të vazhdueshëm të vullnetit të Bankës së Shqipërisë për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor të arsyeshëm dhe me kosto sa më të ulëta mbi aktivitetin ekonomik.
Në të njëjtën kohë, reduktimi i deficitit buxhetor, i shfaqur në formën e frenimit të investimeve publike, ka ndihmuar në kontrollin e presioneve inflacioniste dhe ka rritur hapësirat e reagimit të politikës fiskale në të ardhmen. Paralelisht me të, subvencionimi i çmimit të shitjes me pakicë të energjisë elektrike për familjet dhe zbatimi i paketave sociale – masa këto të cilat vlerësohen rreth nivelit 2% të PBB-së -ndihmuan në zbutjen e ndikimit të goditjes në shtresat më të brishta të shoqërisë shqiptare”, vijoi ai.
Sejko shtoi se sipas projeksioneve, inflacioni do të vijojë trajektoren rënëse gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024.
“Për më tepër, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë kësaj periudhe, ndërsa bilancet e bizneseve e familjeve pritet të mbeten – në tërësinë e tyre – të shëndetshme”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.