Gazeta Si – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha sot(2 shkurt) se inflacioni në vend shënoi një rritje të shpejtë në tremujorin e katërt duke arritur në nivelin 3.7 % në muajin dhjetor 2021.
Në një deklaratë për mediat bëri me dije se inflacioni do të jetë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë për shkak të goditjes nga tregjet ndërkombëtare.
Ai tha se inflacioni do të jetë mbi 3% këtë vit, teksa theksoi se synimi i Bankës së Shqipërisë që inflacioni të arrijë 3% do shtyhet për vitin 2023.
“Inflacioni gjendet në çmimet e gjithë artikujve të shportës së konsumit. Përshpjetimi i tij u diktua nga rritja e ushqimeve të përpunuara dhe çmimeve të naftës. Inflacioni pritet të kthehet në objektiv në mënyrë të qendrueshme gjatë 2023 në pasqyrim të balancimit të kërkesës e ofertës e rritjes së punësimit e pagave në linjë me produktivitetin”, tha Sejko.
Sipas Guvernatorit të BSH-së, “rritja e fortë e çmimeve të ushqimeve, lëndëve energjitike, kostove të transportit ka pasur ndikim të konsiderueshëm të inflacionit në tre mujorin e katërt.
Sipas INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 10.4% gjatë 3 tre mujorëve të parë të vitit. Informacionet sinjalizojnë zgjerim të mëtejshëm të saj në tremujorin e katërt.
Analizat tona tregojnë se aktiviteti ekonomik në vend ka kaluar nivelin e tij të para tërmetit dhe para pandemisë, duke ilustruar rimëkëmbejn e shpejtë të kërkesës”, bëri me dije Sejko.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 0.5%, dhe normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%.
“Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Në gjykimin e Këshillit, niveli aktual i stimulit monetar i shërben respektimit të objektivit tonë të inflacionit, ndihmon rimëkëmbjen e mëtejshme të ekonomisë shqiptare, si dhe ruan një balancë të drejtë midis rreziqeve që çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare mund të kenë mbi nivelin e çmimeve dhe aktivitetit ekonomik në vend”, deklaroi Sejko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



