Ekonomi

Sejko: Ekonomia mund të shmangë recesionin nëse stabilizohen çmimet dhe mbrohen të varfërit

Nga Gazeta “SI”- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko tha se ekonomia shqiptare mund t’i rezistojë goditjes dhe të shmangë recesionin, nëse fokusi kthehet në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe ndihmën ndaj të varfërve.

Pasi të kalohet kjo goditje, guvernatori sugjeron rikthimin në ndërmarrjen e reformave të nevojshme strukturore “të cilat do të çlirojnë potencialet prodhuese të vendit dhe do të ndihmojnë në rritjen më të shpejtë të mirëqenies së shoqërisë.”

“Ky fokus do të kërkojë rishikimin në vazhdimësi të përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare, si dhe ruajtjen e fleksibilitetit buxhetor për të adresuar kontigjencat e mundshme në drejtim të lehtësimit të kostove sociale, pa dëmtuar qëndrueshmërinë afatgjatë të borxhit publik”- tha ai, duke ripërsëritur dhe një herë thirrje që rezervat buxhetore të përdoren për lehtësimin e pasojave sociale të rritjes së çmimeve.

Në raportimin e tij në Kuvend, për raportin vjetor të BSH-së, ai theksoi dhe se ka pasur një aktivitet intensiv monitorimi në kuadër të luftës për parandalimin e pastrimit të parave ku inspektimet kanë targetuar si bankat, dhe subjektet financiare jo-banka dhe zyrat e këmbimit valutor.

Ndërkohë ai theksoi edhe përparim në regullimin e mëtejshëm të tregjeve financiare në vend.

Më tej Sejko raportoi dhe zhvillimet pozitive gjatë vitit të shkuar në vend. Në 2021-shin, theksoi Guvernatori, u rëmëkëmb konsumi familjar, investimet private, si dhe eksportet e mallrave e shërbimeve.

“Për më tepër, frytet e kësaj rimëkëmbjeje ishin të pranishme në thuajse të gjithë sektorët dhe degët kryesore të ekonomisë. Rikuperimi i gjithanshëm i kërkesës gjeneroi më shumë të ardhura për bizneset dhe familjet shqiptare, duke përmirësuar bilancet e tyre financiare dhe duke rritur qëndrueshmërinë e burimeve të rritjes.

Rimëkëmbja ekonomike solli rritje të punësimit, të pagave dhe të marzheve të fitimit, çka u materializua në rritje të presioneve të brendshme inflacioniste. Për rrjedhojë, inflacioni shënoi një rritje graduale gjatë vitit të shkuar, ndonëse ai vijoi të mbetet nën objektiv”, tha Sejko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë