Ekonomi

Sejko: Çmimet e larta do të vijojnë. Qeveria të bëjë kujdes me Borxhin Publik

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha të martën se vala e rritjes së çmimeve do të sjellë pasoja afatgjata për ekonominë shqiptare.

Gjatë prezantimit të Raportit të Tranzicionit 2021-2022 nga BERZH, Sejko tha se ekonomia shqiptare do të përballet me kosto shtesë për familjet, bizneset dhe bilancet e sektorit publik për një horizont të gjatë kohor.

Sipas tij, rritja e inflacionit do të vendosë nën presion marzhet e fitimit të biznesit dhe do të rrisë kostot e shërbimit të borxhit.

BSH-ja sugjeron që politikat ekonomike duhet të mbrojnë nga pasojat e goditjes shtresat më në nevojë të shoqërisë dhe segmentet më të brishta të ekonomisë.

Ky objektiv duhet të përmbushet nëpërmjet një ndërhyrjeje të përkohshme dhe të kujdesshme të politikës fiskale, e cila, në çdo rast, duhet të synojë në maksimumin e mundshëm dhe të mos përkthehet në rritje të fortë të borxhit publik.

Sejko nënvizoi rrezikun që goditja fillestare e ofertës të transmetohet në kosto dhe të përkthehet në pritje për inflacion të lartë në të ardhmen, dikton nevojën e përshtatjes së qëndrimit të politikave ekonomike. Për këtë arsye, sipas tij, autoritetet publike duhet të ribalancojnë objektivin e mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike me rrezikun e dëmtimit të stabilitetit monetar dhe financiar të vendit.

“Në vizionin tonë, ekuilibri ekonomik dhe financiar është një parakusht i domosdoshëm për rritje të qëndrueshme. Në këtë kontekst, rritja gjatë muajit të kaluar e normës bazë të interesit sinjalizon vullnetin e Bankës së Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend. Rikalibrimi i qëndrimit të politikës monetare synon të minimizojë pasojat që goditja e çmimeve do të ketë mbi koston e jetesës, mbi kursin e këmbimit dhe mbi shëndetin e sektorit bankar në afatin e mesëm dhe të gjatë.”

Duke u ndalur në gjetjet e raportit, Sejko u ndal në veçanti te digjitalizimi.

“Përballja me pandeminë përshpejtoi trendin e nisur të digjitalizimit të shumë aspekteve të jetës dhe të punës. Përfitimet nga digjitalizimi, në terma të rritjes së eficiencës e të produktivitetit, por edhe të rritjes së aksesit në financë, janë të mirëdokumentuara. Raporti vë në dukje se ky proces ishte edhe më i shpejtë në rajonin tonë, duke kontribuar në rritjen e konkurrueshmërisë, në ruajtjen e vendeve të punës përgjatë pandemisë dhe në shtimin e tyre pas hapjes së ekonomive”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë