Motosport

Sebastian Fetel humb edhe garën e Arabisë Saudite, ende pozitiv ndaj Covid-it

Gazeta Si – Piloti gjerman, Sebastian Fetel, ka rezultuar ende pozitiv ndaj Covid-19, kështu që ka humbur edhe garën e dytë të Botërorit 2022. Edhe në Jedah ai do të zëvendësohet nga bashkombasi i tij Hulkenberg.

Sebastian Fetel është detyruar të dorëzohet përsëri. Ai nuk mund të garojë as në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite, ku Formula 1 fillon sot aktivitetin me sesionin e parë të provave të lira. Pas Bahreinit, Fetel humb edhe garën e Jedah.

Sebastian Fetel, piloti gjerman i Aston Martin. Gazeta Si, 25 mars 2022

Piloti gjerman, 4 herë kampion bote, sipas asaj që ka bërë me dije skuderia Aston Martin në Tuiter, nuk mund të jetë në dispozicion, sepse nuk është negativizuar ende nga Covid-i. Në vend të tij, siç ndodhi në garën hapëse të Bahreinit, ku fitoi Ferrari, do të jetë gjermani tjetër Niko Hulkenberg.

“Presim që Sebastianin të shohim në pistë në Çmimin e Madh të Australisë”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të Aston Martin. Gara e Melburnit do të zhvillohet fundjavën e 10 prillit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë