Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi i Shqipërisë do zhvillojë këtë të enjte një seancë maratonë, ku pritet të miratohet projektbuxheti i vitit 2026 me një vlerë rekord prej 8.8 miliardë euro, së bashku me paketën fiskale që përfshin tetë projektligje.
Dokumenti financiar ka kaluar më herët në Komisionin e Ligjeve, ku u rrëzuan 60 amendamente të propozuara nga opozita. Projektbuxheti u votua në parim më 20 nëntor me 83 vota pro dhe 32 kundër, dhe sot pritet të marrë vulën përfundimtare pas diskutimeve të zgjatura.
Projektbuxheti përfshin një fond prej 10 miliardë lekësh për bonuset mujore të pensionistëve që do të nisin të aplikohen nga janari 2026. Ai parashikon gjithashtu rritjen e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë, si dhe indeksimin me 2.5% të pagave për punonjësit e administratës publike, një masë që aplikohet për herë të parë.
Në fushën e investimeve publike, qeveria planifikon të shpenzojë rreth 1.8 miliardë euro, të cilat do të përdoren për projektet infrastrukturore që janë në proces dhe ato që do të nisin gjatë vitit të ardhshëm.
Një nga çështjet më të debatueshme të ditës është edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit. Procesi ka hyrë në ngërç pasi Partia Demokratike ka tërhequr firmat për gjashtë kandidatët në garë: Adriana Kalaja, Aranita Brahaj, Besim Ndregjoni, Endrit Shabani, Skënder Haluci dhe Tartar Bazaj. Zgjedhja kërkon shumicë të cilësuar prej 3/5, çka e bën edhe më të vështirë arritjen e konsensusit në seancë.
Në rendin e ditës janë parashikuar edhe dy interpelanca me peshë politike. Deputeti Agron Shehaj ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama lidhur me operacionin e lirimit të hapësirave publike. Mbetet për t’u parë nëse kreu i qeverisë do të jetë i pranishëm për t’u përballur me Shehajn në sallë.
Ndërkaq, deputetja Ina Zhupa ka kërkuar interpelancë me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, për projektin “TID” në Durrës.
Seanca përfshin një rend të ngjeshur, ku përveç votimit të projektbuxhetit dhe paketës fiskale që përmendëm më lart, diskutohen dhe votohen projektligje të tjera të rëndësishme, si ai për tatimin mbi të ardhurat, ndryshimet në sistemin e taksave vendore, marrëveshja e paqes fiskale, rivlerësimi i pasurive të paluajtshme, fshirja e detyrimeve tatimore dhe ligji për koncesionet e PPP-të.
Në pjesën e fundit të seancës parashikohet edhe mocioni me debat mbi raportin final të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, me një kohë diskutimi të shpërndarë mes grupeve parlamentare sipas peshës së tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



