Drejtësia

Veliaj nuk del dot nga kafazi i xhamit në gjyq

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka rrëzuar një tjetër kërkesë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për t’u njohur me aktet e dosjes, si edhe për të dalë nga kafazi i qelqtë në sallën e gjyqit, ndërsa ka shtyrë për në datën 5 janar, ora 09:00 gjyqin paraprak ndaj tij dhe të bashkëpandehurve.

I pranishëm në sallë, Veliaj kërkonte që të zbatohej i njëjti standard i vendosur me të pandehur të tjerë që kanë bërë të njëjtën kërkesë.

“Duke patur parasysh mënyrën e ndryshme të vendimmarrjes së kësaj Gjykate për procedimin kundër të pandehurit Erion Veliaj si dhe nevojën për të garantuar trajtim të barabartë të të pandehurve në zbatimin e nenit 34/a dhe 327 pika 2 dhe 3, mbi të drejtën e njohjes dhe marrjes së kopjes së akteve, personalisht nga i pandehuri, konstatojmë se qëllimi i kësaj kërkese është të vendoset i njëjti standard për mënyrën e procedimit dhe palët pjesëmarrëse në gjykimin e pranë kësaj Gjykate“, thuhej në kërkesë.

Por edhe kjo kërkesë u rrëzua nga gjyqtarja Etleva Deda. Pas këtij vendimi, Veliaj largoi avokatin e tij, Artan Gjermeni.

Për këtë arsye gjykata i caktoi një avokat shteti për të vijuar me procedurat, e cila është Valentina Teodoresku.

Ndërkohë, që ende nuk ka bërë mbrojtjen as Veliaj dhe as bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, kryebashkiaku qëndroi në seancë deri në fundin e saj, ndërsa Gjykata e Posaçme vendosi që seanca e radhës të mbahet më 5 janar.

Në kërkesën për njohjen me aktet, Veliaj thotë se GJKKO vepron me dy standarde, duke u ndalur tek rasti i Ilir Metës, i cili ka marrë një pjesë të fashikujve.

Sseanca e kaluar u shty për shkak se avokatët nuk kishin bërë gati mbrojtjen për Veliajn, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe të dyshuarit e tjerë.

SPAK, me anë të një reagimi publik më 5 dhjetor 2025, deklaroi se procesi gjyqësor është zvarritur për shkak të shtyrjes së tetë seancave, të cilat, sipas institucionit të drejtësisë, janë shkaktuar nga mungesa të pajustifikuara të avokatëve mbrojtës dhe kërkesa të tyre të pabazuara.

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo e fundit ka kërkuar këtë të premte pushim të çështjes.

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrën e kryebashkiakut të bashkisë më të madhe në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë