Drejtësia

Seanca në Kushtetuese për Ballukun, qeveria: Gjykata Penale nuk ka të drejtë të pezullojë një ministër

Gazeta Si – Ka nisur në Gjykatën Kushtetuese seanca publike pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama për të zgjidhur konfliktin e kompetencave pas vendimit të GJKKO-së për zv/kryeministren Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK për abuzim me tenderin e Tunelit të Llogarasë.

Përfaqësuesja e qeverisë, Irma Qosja, sqaroi se kërkesa për pezullimin e vendimit, ka të bëjë me marrëdhënien mes tre pushteteve dhe nëse Gjykata Penale ka të drejtë të pezullojë një ministër njësoj siç mund të pezullojë çdo zyrtar tjetër të pushtetit ekzekutiv.

“Kërkimet kanë të bëjnë me marrëdhënien mes tre pushteteve dhe në thelb të këtyre kërkimeve qëndron pyetje. A ka të drejtë Gjykata Penal të pezullojë nga detyra një ministër njësoj siç mund të pezullojë çdo zyrtar tjetër të pushtetit ekzekutiv? Ne vlerësojmë që jo, megjithatë argumentet për këtë i përkasin themelit të çështjes”, tha Qosja.

Përfaqësuesja ligjore e qeverisë, Irma Qosja

Përfaqësuesja e saj tha se Këshilli i Ministrave është organi që i është pezulluar veprimtaria në një prej fushave të tij, fushën e infrastrukturës dhe energjisë.

“GJKKO duke pezulluar ministrin nga detyra pezulloi jo vetëm vendimmarrjen e ministrit brenda ministrisë përkatëse, por edhe vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave në atë fushë sepse tashmë ministri i pezulluar nuk mund të propozojë asnjë projekt-akt në kompetencë të tij”, tha Qosja.

Rama kërkon “zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.

Si subjekte të interesuara janë ftuar përveç institucionit të Kryeministrisë, edhe ai i Presidencës, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme.

GJKKO ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë, pasi vlerëson se “nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë”.

Gjithashtu GJKKO thotë se “për sa kohë një çështje konkrete penale është e varur përpara juridiksionit gjyqësor të zakonshëm nuk mund të ndërhyhet nga autoritet të tjera shtetërore pa cenuar nenin 145 të Kushtetutës”. 

Numri 2 i qeverisë aktualisht është rikthyer në detyrë pas një vendimi të Kushtetueses, deri në shqyrtimin e plotë të ankimit të kryeministrit Rama dhe shpalljes së vendimit përfundimtar nëse do ta ‘lejojë’ ose jo precedentin e krijuar nga GJKKO me pezullimin e një anëtari qeverie.

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese do të vijë në një kohë kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut.

Kjo lëvizje e SPAK erdhi menjëherë pasi Kushtetuesja e ktheu Ballukun në detyrë, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve është më datë 28 janar.

Belinda Balluku u pezullua nga detyra si zv/kryeministre dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë më 20 nëntor, pas hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe. Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë vendim deri në shqyrtimin e plotë të çështjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë