Nga Gazeta ‘Si’- Berisha komentoi edhe seancën publike të ditës së djeshme që u zhvillua në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me ankimimin e qeverisë për çështjen e pezullimit nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku.
“Dita e djeshme do të regjistrohet në muret e kohës si një nga ditët më të zeza të historisë së ligjit, Kushtetutës, drejtësisë në këtë vend. Dje, para shqiptarëve, seriali i hajdutëve dhe kryehajdutëve, Edi Rama, Niko Peleshi, Haram Begaj, u paraqitën në pafytyrësi të plotë para prokurorëve që zbatonin ligjin në sallat e Gjykatës puçiste Kushtetuese. U paraqitën për të kompletuar grushtin e tyre të shtetit. Kurrë në histori të këtij vendi dhe asnjë vendi tjetër, nuk ka ndodhur që tre drejtuesit më kryesorë të rendin në Gjykatë Kushtetuese kundër vendimit të një gjykate dhe një prokurori për pezullimin e zëvendëskryeministres të kapur në flagrancë me një seri aferash korruptive, vjedhjesh monstruoze. Nuk ka ndodhur. Nuk ka ditë më të turpshme për atë gjykatë, për këto institucione turpi se dita e djeshme.”, tha Berisha.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësuesit e tjerë të qeverisë u vunë në rresht për të mbrojtur zëvendëskryeministren Balluku.
Ai shtoi se “Të gjitha institucionet u bënë dje mur për të mbrojtur korrupsionin!”, ndërsa kritikoi edhe gjykatat. Sipas Berishës qytetarët janë shpresa e vetme e këtij vendi, ndaj u bëri thirrje të bashkohen në protestën e së shtunës.
“Shpresa e vetme janë qytetarët e këtij vendi. Ndaj dhe dita e djeshme faktoi edhe njëherë të dashur qytetarë dhe qytetare se e vetmja shpresë e këtij vendi, e vetmja shpresë e këtij kombi, e vetmja shpresë e të rinjve dhe fëmijëve shqiptarë jeni ju. Jemi në kilometrin e fundit. Me guxim dhe besim, të vendosur të bëjmë çdo gjë për përmbysjen e këtij regjimi. Nuk ka shok në botë, tëra institucionet bëhen mur korrupsioni. Katër, edhe gjykata me ta. Institucionet më të larta të shtetit. Të turpit. Të kleptokracisë. Të narkoshtetit. Në të gjithë terminologjinë botërore të formave të shtetit, shtetit aktual të sotëm në Shqipëri i përshtatet më shumë se çdo gjë tjetër, shtet i kakistokracisë. Nga greqishtja e lashtë, më i keqi. Dhe ky është më i keqi. Ndaj qytetarë, të bashkojmë forcat dhe t’u tregojmë vendin. Bota po u tregon vendin këtyre në mënyrën më të vendosur.”, shtoi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



