Nga Gazeta Si- Komisioni Hetimor për dy koncensionet në shëndetësi nuk arriti që të marrë dëshminë e Ilir Beqajt, ish-ministrit të shëndetësisë.
Mbledhja maratonë zgjati deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, por sërish nuk u gjet dakordësia mes palëve.
Ilir Beqaj gjatë gjithë kohës ka qenë në godinën e Kuvendit duke pritur dhe sipas demokratëve, ai nuk është shoqëruar në çdo moment me forcat e policisë, por ka lëvizur i lirë.
Ka qenë opozita që ka kërkuar që Beqaj të dërgohet në qeli pasi i kishte mbaruar leja por zv/kryetari i komisionit, Plarent Ndreca ka thënë se e ka marrë ai lejen për të qëndruar më gjatë Beqaj. Kjo ka sjellë përplasje mes tyre por edhe ka shtyrë Beqajn, i shoqëruar me avokatin e tij që të futet në sallën ku zhvillohej mbledhja dhe ka debatuar me deputetët e pakicës. Sipas këtyre të fundit ky është një akt i paprecedentë, “ku një dëshmitar që është nën arrest vjen dhe kërcënon deputetët”.
“Si s’të vjen turp ty dhe gjithë të tjerëve. Ti mos guxo të ma bësh mua ashtu, të të vijë turp ty dhe të gjithë ju që nuk reagoni. Turp t’ju vijë. Futet ai me pranga dhe na kërcënon. Nuk është i lirë ai të bëjë çfarë të dojë. Ai duhet të ishte i mbyllur në një sallë. Të guxojë Ilir Beqaj dhe të futet e të kërcënojë deputetët e opozitës është skandal, askush nga ju nuk guxon të flasë”, tha Vokshi.
Pas këtij incidenti, kryetarja e komisionit Albana Vokshi ka urdhëruar largimin e Beqajt nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit, duke thënë se do mbajnë përgjegjësi edhe avokati i tij por edhe punonjësit e gardës që e kanë lejuar.
Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi, vijoi ditën e djeshme me debate mes opozitës dhe mazhorancës, për disa orë me radhë deri pas mesnate, ndërkohë që mandati përfundon më 14 nëntor.
Debatet nisën në lidhje me deklaratën e ish-ministrit Ilir Beqaj, i cili kërkoj që ta bënte me PoëerPoint, gjë që nuk u pranua nga opozita.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.