Gazeta Si – Rreth 7 orë ka zgjatur seanca në Apelin e GJKKO për kryebashkiakun Erion Veliaj dhe katër biznesmenët Elman Abule, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi.
Dy prokurorët e posaçëm, Ols Dado dhe Altin Dumani kanë paraqitur prova të reja dhe për këtë arsye seanca është shtyrë, pasi avokatët kanë kërkuar kohë të njihen me provat.
Mësohet se gjyqi është shtyrë për ditën e nesërme në orën 12:30.
Seanca nisi rreth orës 10:00 dhe përfundoi në orëm 17:00, ndërsa kryebashkiaku mbërriti me një furgon policie në parkingun nëntokësor të GJKKO-së.
Më pas ai u drejtua në sallën ku mbahet seanca, e cila drejtohet nga Engert Pëllumbi, gjyqtari që dënoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për shpërdorim detyre para dy vitesh.
Në seancë kërkoi të merrte pjesë edhe avokati amerikan, Joshua Roberts i cili vizitoi të hënën Veliajn në qelitë e paraburgimit të Durrësit, por nuk u lejua sepse nuk plotësonte kriteret ligjore.
Roberts kishte kërkuar të ishte pjesë e seancës si vëzhgues me qëllim që të këshillonte avokatët e Veliajt.
Sot gjithashtu trajtohet edhe kërkesa e 4 prej biznesmenëve të përfshirë në dosjen hetimore ndaj Veliajt të cilëve u është caktuar masa “detyrim paraqitje”.
Erion Veliaj akuzohet për veprat penale “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, e cila është në masën “detyrim paraqitje”.
Vendimi do të merret nga Engert Pëllumbi, gjyqtari që dënoi me burg për shpërdorim detyre ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin duke u bërë i pari që vendoste dënimin e një ish-zyrtari të lartë të shtetit.
Pas një muaji në qelinë e paraburgimit, Veliaj me avokatët e tij do të kërkojnë ndryshimin e masës së sigurisë me arsyetimin se nuk përbën rrezik për prishjen e provave dhe se nuk do të largohet nga vendi.
Ndërkohë prokurorët e çështjes, Ols Dado dhe Altin Dumani, këmbëngulin në masën e sigurisë sepse në postin e kryetarit të bashkisë sipas tyre, Veliaj ka mundësi të prishë provat.









Nga qelia e paraburgimit të Durrësit, Veliaj ka reaguar për çdo ditë më radhë me akuza ndaj prokurorit të posaçëm Olsi Dado duke pretenduar se ky i fundit është në konflikt interesi në këtë çështje dhe nuk mund ta hetojë pasi kohë më parë ka përfituar një leje ndërtimi prej tij.
Sipas SPAK, dyshohet se Veliaj dhe gruaja e tij, Ajola Xoxa ngritën një skemë të mirëmenduar për vjeljen e fondeve nga Bashkia e Tiranës, duke përdorur edhe disa prej biznesmenëve ndaj të cilëve GJKKO ka caktuar “detyrim paraqitje”, konkretisht për 5 prej tyre. Ndërsa i vetmi biznesmen me masën “arrest me burg” është Eman Abule.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


