Politike

Seanca e së hënës / Satira e Gjekmarkajt: Lideri në perspektivë Gazi u tërbua, u hazdis, ndërsa Elisa qerratesha syzezë largonte retë…

Nga Agron Gjekmarkaj - Pas një pune të gjatë bindëse fillova të ndihem pjesë aktive e rezistencës parlamentare. Dje, me këtë entuziazëm, udhëtova për në seancë përkrah luftëtarëve të tjerë të lirisë.

Sapo në shtab u shfaq Krye zëvendës Lideri Muli dhe Lideri në perspektivë Gazi, optimizmin e fitores ndjeva kudo në deje.

Kur po ndahej armatimi kërkova edhe unë një dyfek, a në mos një biçak, por aty diçka mu thye së brendshmi. Më trajtuan si partizanin Velo... "Prit njëherë kur të dalë behari, do të japim një pushkë nga ato që do u rrëmbejmë askerve të Niko Nikoqirit", çuçuritën.

Nuk po u besoja veshëve se një tjetër zë i kobshëm u shtua në qosh “ky të bëjë roje te stallë e pulave si xha Sulua”. Ktheva kokën mos këtë llaf të lig e nxuarr nga goja Salianji, i cili shfaqet gjithmonë në udhëkryqin nga ku ai del. Por jo, që kur me temjan u pa, vetëm bën shenjën e kryqit dhe lëshon kudo paqe e mirësi, aqësa edhe Fred Xhaferri duket si mëkatar para tij. Mond Spaho kishte qenë ndëshkuesi.

Pikërisht kur të gjitha shpresat kisha humbur për të marrë pjesë në betejë, asaj ane si vegim më gjet Albana. "Çfarë ke xhan? Kush të ka mërzitur ty? Që mos paftë ditë të bardhë...", pyeti. I prekur ia bëra me gisht nga Kryezëvendës Lideri dhe Lideri në perspektivë... "Ata, ata..."  psherëtiva me gugatje të mbytur!

Ajo me zemërgjerësi nxori një të mëndafshtë shami dhe me tha: "Do bësh një punë me shumë rëndësi për kauzën tonë. Me këtë dhe delikatesën që nuk të mungon, do fshish lotët e Jorushit, pastaj ta ruash si sytë e ballit sepse do e vëmë në muzeun e sakrificave të revolucionit".

"Dakord", me gëzimin e rigjetur xhevap dhashë. E ndjeu që rifitova besimin në vete e shtoi: "Herëpashere me mësymje të befta nduki mjekrën Çuçit dhe Pastorit, aq sa t'u pisazë nja dy javë. Por kujdes, mos nga Etildën se ne jemi parti që i respektojmë zonjat". "Jooo... atë e kam merak vetë", i dhashë siguri.

Ankthi i fillimit!

Ora 9 na gjet në atë të zezë tërthore. Gardistë si miza lisi na kishin zënë pritë. Edhe pse unë kinse Zëvendës i Kryezëvendës Kryetares Ermo, më pocaqisën me dy kontrolle. Poashtu edhe Liderin në perspektivë, i cili po më mbante si trim pas vetit.

Zaptiet me mua e patën kollaj, sepse si i krishterë, u ktheva edhe faqen tjetër, por me Liderin në perspektivë sikur ndeshën në një koshere me grenxa. U tërbua, u hazdis. Si katalla mori përpara nja tridhjetë karrige.

Kur pa që i kishin zënë rrugën Doktorit e nuk e linin me dalë në foltore, aty nuk mbajti më. Komandantit të pretorianëve i tha “nuk ke pa, Gaz Bardh, me sy djegi vetin edhe ty, jam çun kavaje, jo zog havaje”.

“Qyqja, qyqja, qyqja”, ofshante Dhurata Çupi…. ! "Ç’ke moj e uruar", i avitem gjithë ndrojë. "Me gjasë - tha - si po ecën kjo gjë, 128 amendamentet e Lulit për buxhetin nuk do të merren parasysh. Medet për njerëzit e shkretë, se vetëm ai mendon për ta, tek mbledh dardhë e koqe ulliri".

Flaka!

U hap lajmi që Babo erdhi. Në ajër vibronte tension. Kosta i Gramozit dhe Linditës, i cili prej muajsh e priste këtë sihariq, ishte bërë dhé. Ai kishte ëndërruar që atë ditë të shtronte qilim me dorën e tij, Tezen që lan oborrin, Genc Gjonçajn që prashit e ujit, Shalsin që i bie daulles si virtuoz, Nasipin me dajre, Bujarin e Lushnjes me gajde, Majkon me firzamonikë, Mimi di Puccini me qemané që aman aman, Braçen që i frynte pipëzes, Dilon me cyrle, Antoneta Dhimën e Ismet Beqirin me grupin e Bënçës tek këndonin “Rrofsh sa moshë e kësaj toke”, Xhafën me fustanellë, opinga me xhufka e valle labe... Por jo! Kudo shkrumb e hi, flakë e tym. Xhenetin e kishte lutur, por këtë ditë jo!

Kafshonte gjuhën që ta këpuste, donte, por ajo nuk i bindej. Fuqitë e kishin lënë. Shikimi iu err.

Babo ngadalë tek afrohej, zmadhohej. Por i lodhur dukej, gjithë natën pa gjumë. E vetëm për 70 amendamente nga të Lulit, koha i kishte mastuar. Ai erdhi edhe pse e ka zët atë bina. I besoi Taos që terbieti është i garantuar me 65 kapterrë në sallë dhe kontrolli nuk do lejonte as miun të kalonte vrimën.

Por ashtu nuk doli, ndaj përzhitja e mbuloi. Në defter Babo shënoi zhgënjimin e parë nga Tao.  Përshëndeti të vetët me dorë: “Tjeta juaj trima!” Por trimat futën kokën nën banaqe, ndoca qanin si foshnja të uritura deri në atë pikë sa Laerti u dorëzua së mbledhuri rrëkenë.

Shumë i picërronin sytë nga duhia. Vetëm ata të Elisës bëheshin sa një filxhan. Qerratesha syzezë e paepur ndër luftra, me dorën si flatër largonte retë nga vetja dhe nga kokë e Babos që shikimi i tij i kthjellët të mbetej jetë e mot. Bujarisht e drejtonte nga Ulsiu, i cili tymosej si mishi në tra, për ta ngrënë në dimër.

"T'i kisha ca burra si Mamicën", tha Babo me vete. "Këta zorzopë do merrnin dhenë!"

Bora ishte veshur bukur si për dasmë. Shikimet e saj rrezatonin kudo një hutim pafajësie. I mungonte Edona.

Digjej për ta pyetur meqenëse Babo është si Zeusi, pse ai nuk i përcëllon me rrufe këta trazovaçët poshtë?! Ogerta ia kuptoi marazin dhe i shkroi sms: "Mos u mërzit, zemër, se Babo e zë lepurin me qerre".

Lumturia u kthye prapë në bebëzat e saj dhe vëzhgonte korridorin nga ku qerrja do kalonte e ku lepuri fap do hidhej si pizeveng.

Lideri në perspektivë Gazi nuk mbahej. Sa pa Babon, u turr si Mic Sokoli mbi top por rojet e shumta u bënë barrikadë. Aty ku nuk i shkoi dora, i mbërriti fjala. “Frikacak, frikacak”, i drejtohej atij që e shihte ngultazi e me dhembshuri atërore.

Çyrbja dridhej si purtekë nga durimi i Babos, nuk po kuptonte më, priste një shenjë që sosja të mbretëronte mbi ne. Por ajo nuk i erdhi e falë saj, shpëtuam rradaken, por ai qetësinë humbi.

Fjala u nxeh aq shumë, sa mori zjarr. Bledion Nallbati si bilbilenjtë që dridhnin duhan para litarit, shpërtheu bumjet. Një prej tyre dogji trashëgiminë e Lulit, të tjerat mbyllën seancën për katër minuta. Babo iku i pari. Kushedi kur do ta shohim prapë nga afër. Tao la porosi që Lulit t'i blihet një karrige e firmës italiane "Natuzzi", që as nga bomba nuk ia ndien e jo më nga flakadanët.

Margeriti lypte me shikim Inën. Kur e pa mes shtëllungave, psherëtiu e lehtësuar: “Jeta vazhdon ani se mes plagësh” .

Fundi!

Si Kostandini që nga e përtejmja botë kthehej, ashtu edhe ne dolëm jashtë me qerpikët e djegur, zhigat e thëngjinjëve mbi fytyrë, me gojën e tharë nga roshku i athetirërs.

Por sakrifica nuk na u shpërblye. Jashtë kolegu Arbi Agalliu nuk na priste me nga një certifikatë mirënjohjeje nga ato që dega e Vlorës e vetë ai me dorë shpërndau për patriotët e mëdhenj.

E kisha ndarë mendjen edhe se mua nuk do më jepte, do ia kapja nja dy nga dora, një do e mbajta për vete, tjetrën do ia jepja atij të bekuar Salianj, që kaq ka sakrifikuar për këtë vatan.

Çudia nuk pat mbarim. Në oborr mu afrua si tinëz Blendi Klosi dhe më zgjati dy gishtë kartë. "Hidhi një sy - tha - se çoku merr vesh. Se di edhe unë të jem burimor, më këndon xhani. Ç’ka më shumë Ismeti me Bujarin e Lushnjes? Apo se ai i ka kënduar Rrapush Xhaferrit?!

Klosi kishte shkruar: “Ditë e madhe sot për shtetin/ Babo na ka sjellë buxhetin/ Babo që nderon Dovletin/ S’e zë gjumi për miletin/ Me vota shtatëdhjetë e tre/ Buxhetin votuam ne/ Populli kërkon të mirat/ S’pret hair nga qafirat".

E përgëzova ngrohtësisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë