Politike

Seanca e të enjtes, projekt-deklarata (jo rezolutë e PDIU) për ligjin e luftës futet në rend dite

Të majtë e të djathtë priten të miratojnë sot një projekt-deklaratë ku i kërkojnë qeverisë të bëjë çdo përpjekje me Greqinë për abrogimin e Ligjit të luftës dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj.

Përmes një deklarate që është futur sot në rendit e ditës për miratim në seancë, politika shqiptare i kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të mbajë të informuar rregullisht Kuvendin e Shqipërisë dhe partnerët tanë euroatlantikë NATO dhe BE për përpjekjet sistematike të qeverisë shqiptare dhe asaj të Greqisë, për zgjidhjen e kësaj çështje të bartur nga e kaluara.

Projekt-deklarata e hartuar nga deputetja e PDIU, Mesila Doda

“Kuvendi fton Parlamentin e Republikës së Greqisë të mbështesin përpjekjet e qeverisë së tyre për jetësimin e vullnetit politik të shprehur më shumë se një herë nga Ministrat e Jashtëm të Republikës së Greqisë për abrogimin e Ligjit të Luftës Nr. 2636/40 me Shqipërinë, dhe në këtë frymë pozitive të marrin në konsideratë e të miratojnë çdo instrument ligjor që do ti shërbente korrigjimit të kësaj situate që nuk përputhet me realitetet e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Greqi.

Në përputhje me angazhimin ndërparlamentar të parashikuar në Traktatin e miqësisë, bashkëpunimit reciprok, sigurisë mes dy vendeve, ne bëjmë thirrje të krijohet një grup pune mes dy Parlamenteve që të kontribuojë zyrtarisht në këtë drejtim, apo në adresimin e çdo problemi të ngjashëm në marrëdhëniet mes dy vendeve tona sipas parimeve të njohura të bashkëpunimit ndërkombëtar...”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë