Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Erion Veliajt për t’u njohur me aktet hetimore, ku është marrë i pandehur nga SPAK për disa akuza, mes tyre për, “korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë”.
Dorëzimi i tyre do të kryhet nëpërmjet një oficeri të BKH pranë Prokurorisë së Posaçme brenda një afati të shkurtër në paraburgimin e Durrësit, ku ndodhet kryebashkiaku i Tiranës prej 10 shkurtit 2025.
Seanca e parë gjyqësore në themel në GJKKO për dosjen “Veliaj” dështoi këtë të hënë, ku të pandehur janë marrë 29 persona të tjerë, mes të cilëve 18 individë dhe 12 kompani.
Shkak u bë mungesa e disa prej avokatëve, ku u relatua se nuk kishin marrë njoftim për zhvillimin e seancës.
Vetë Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm, por kishte nënshkruar një deklaratë, ku shprehte vullnetin për të mos u paraqitur, teksa pretendoi se nuk mund të niste gjykimi në themel në një kohë që sipas tij nuk është ezauruar qëndrimi i tij në seancën paraprake.
Avokatja e tij, e caktuar nga gjykata, Valentina Teodoresku, tha se e ka takuar të mbrojturin prej saj dhe kërkoi t’i jepeshin të gjitha aktet, pasi nuk ka pasur mundësi të mbrohej në seancë paraprake.
Veliaj ka pretenduar se gjyqtarja e senacës paraprake, Etleva Deda i mohoi të drejtën për t’u mbrojtur efektivisht dhe kërkoi përjashtimin e saj, kerkesë që u rrëzua.
Ndërkohë, prokurori Olsi Dado, kundërshtoi këto pretendime ku bëri të ditur se i pandehuri është njohur me aktet, por GJKKO miratoi kërkesën e Veliajt për vendosjen në dispozicion të akteve hetimore.
Kjo ishte seanca e parë në themel, pasi SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi dosjen me kërkesën e nisjes së gjykimit dhe ku gjyqtarja e seancës paraprake Etleva Deda e pranoi këtë kërkesë, teksa gjykimi në themel po bëhet nga treshja, Engjëllushe Tahiri relatore dhe anëtare, Alma Kodraliu e Rudina Palloi.
Seanca e radhës u shty për më datë 24 mars, ora 14:30 ndërsa gjykata legjitimon avokaten Teodoreskun, si dhe vendosi t’i vërë në dispozicion të pandehurit të gjitha aktet për dosjen.
Mënyra e vënies në dispozicion të provave të pretenduara nga SPAK, do të bëhet përmes dorëzimit nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Po ashtu, edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, pjesë e dosjes si e pandehur nga SPAK, edhe pse kishte marrë dijeni për seancën e sotme, nuk është paraqitur.
Avokati i saj, Maksim Haxhia, theksoi se klientja e tij ishte në pamundësi për t’u paraqitur, pasi ajo ishte shtatzënë dhe ia ka ndaluar mjeku.
Biznesmeni Elman Abule, i marrë i pandehur për “pastrim parash”, është shprehur se “do të jem prezent gjithmonë në gjyq”.
Edhe Meriman Palushi mungoi, por u përfaqësua nga avokatja. Në listën e mungesave ishte edhe Fatmir Bektashi që u përfaqësua me avokatin Sokol Hazizaj, i cili u përgjigj edhe për kompaninë Kontakt.
Edhe Sokol Kryeziu e kishte marrë thirrjen, por s’u paraqit dhe u përfaqësua nga Klodian Skënderaj.
As Klotilda Bushka nuk ishte në gjykatë, ndërsa e përfaqësuan avokatët Henrik Ligori dhe Shegush Ligori, të cilët u shprehën se është në dijeni, “por nuk donte të vinte dhe ka bërë shënimin”.
Prokuroria ka ngritur 13 akuza ndaj Erion Veliajt, duke përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.
Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme në 9 raste, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për fshehje të të ardhurave, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.
Personat e tjerë të akuzuar përfshijnë biznesmenë të ndryshëm, të cilët sipas prokurorisë kanë kryer korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë, si dhe fshehje dhe pastrim të të ardhurave të paligjshme.
Ish-deputetja socialiste, Klotilda Bushka akuzohet për veprime që kanë penguar zbardhjen e së vërtetës, ndërsa F.B., gardiani i burgut të Durrësit, akuzohet për dhënie të telefonit Veliajt gjatë transferimeve drejt gjykatës, duke u përballur me akuzën për futje dhe mbajtje të sendeve të ndaluara brenda institucionit të burgut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje