Gazeta Si – Pas një seance 3-ditore, Apeli i Posaçëm i GJKKO-së ka lënë në burg kryebashkiakun Erion Veliaj, i akuzuar nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.
Vendimi u mor këtë të enjte në seancën e tretë radhazi për Veliajn, i cili kërkonte masë më të butë sigurie duke ofruar garanci pasurore prej 5 milionë lekësh, me pretendimin se nuk rrezikon të prishë provat apo të largohet nga vendi.
Avokati Maks Haxhia (nga mbrojtja e Veliajt), në një prononcim për mediat jashtë ambienteve të SPAK, deklaroi se në seancën gjyqësore nuk është paraqitur asnjë provë e re për kryebashkiakun e Tiranës, duke shtuar se vendimi i Apelit të Posaçëm ishte i pritshëm.

Sipas avokatit, nuk plotësohen kushtet për masën e “arrestit me burg”. Për më tepër, tha ai, Veliaj nuk paraqet rrezikshmëri.
“Zgjidhja e çështjeve me masë arresti për këdo, është një absurd që vetëm në Shqipëri ndodh, sidomos kur vepra s’paraqet shkallë rrezikshmërie apo personi. S’mund të aplikohet masa e arrestit për personin më të votuar në Shqipëri dhe t’i thotë që je person i rrezikshëm. Rrezikshmëria lidhet me agresivitetin dhe mundshmërinë për të kryer vepra penale. Presim të ndodhë çudia në Gjykatë të Lartë, sepse nuk plotëson kriteret për t’u mbajtur në burg. Në seancë ka qenë i njëjti material që ka qenë në Gjykatën e Shkallës së Parë”, u shpreh Haxhiu.
Ndërkohë, GJKKO ka ndryshuar masën e sigurisë për biznesmenin Elman Abule, i cili tashmë do të qëndrojë nën masën “arrest shtëpie”.
Ndërsa për 3 biznesmenët e tjerë, Shkëlqim Fusha, Meriman Palusha dhe Gentian Sulën, janë lënë në fuqi masat “detyrim paraqitje’.
Veliaj u arrestua më 10 Shkurt, i akuzuar për dy vepra penale, atë të “korrupsionit pasiv” në 9 raste dhe “pastrim parash”. 2 ditë më vonë, u verifikua masa e “arrestit me burg” ndaj tij në GJKKO, ndërkohë që për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa u caktua masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Për kërkesën e saj për heqje të sekuestros ndaj llogarive bankare, këtë të enjte është paraqitur në SPAK edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.