Politike

Seanca e 13 marsit, Ruçi: Asnjë fjalë për opozitën!


Grupi parlamentar i PS-së është mbledhur sot pa praninë e kryeministrit Edi Rama dhe në fokusin e diskutimeve ka qenë përgatitja për seancën e 13 marsit, e cila mbahet të Mërkurën për shkak se data 14 Mars është ditë pushimi zyrtar.
Mbledhja është drejtuar nga kryeparlmaentari Gramoz Ruçi, i cili ka kërkuar pjesëmarrjen e plotë të deputetëve të PS-së.
“Asnjë fjalë për opozitën jo parlamentare, në Kuvend. Në sallë të mos diskutohet asnjë gjë në lidhje me opozitën, por vetëm për ligjet që do të shqyrtohen dhe qytetarët”. Ky mësohet se është urdhri i Ruçit i dhënë ndaj deputetëve dhe ministrave të partisë së tij.
Qëndrimi i PS-së lidhet me faktin se tashmë për mazhorancën të larguarit nga Parlamenti janë jashtë vëmendjes së tyre dhe se pritet të vlerësohet “opozita e re” brenda sallës. Një gjë të tillë e pati lajmëruar edhe vetë kryeministri Edi Rama në fjalën që mbajti në seancën e fundit plenare, ku bëri të ditur se me “opozitën” e re do të bashkëpunonte, madje dhe në ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Në seancën e së mërkurës pritet që të betohen 6 deputetët e rinj të opozitës, të cilët i përkasin Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjithsej do të jenë 13 deputetë të opozitës, të cilët do të jenë prezent në Parlament. 10 deputetë të rinj, të cilëve KQZ-ja iu dha mandatin. Tre deputetët aktualë Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi të PD-së dhe Lefter Koka i LSI-së nuk kanë pranuar që të dorëzojnë mandatin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë