Gazeta Si – Saga e Gerhard Schröderit vazhdon në Gjermani. Ish-kancelari socialdemokrat u bë “non grata” në vendin e tij për refuzimin nga distancimi i Vladimir Putinit, pasi kishte qenë në listën e pagave të liderit të Kremlinit për vite si lobisti kryesor rus i gazit.
Pasi një gjykatë e Berlinit ditët e fundit hodhi poshtë apelimin e tij kundër vendimit të Parlamentit për t’i hequr atij detyrën dhe privilegjet e tij (por jo pensionin) si ish-kancelar, dje Komisioni i Arbitrazhit i SPD-së vendosi në favor të tij, duke refuzuar përfundimisht kërkesën për përjashtimin nga partia, e cila ishte paraqitur nga federata të ndryshme të Saksonisë së Poshtme.
Nga ana tjetër, një lajm i keq vjen për gruan e tij të pestë, koreanen Soyeon Schröder-Kim, e cila u pushua nga puna nga kompania e komunikimit dhe konsulencës për të cilën ajo punonte, “Rhenish NRW Global Business”, ku ajo ishte përgjegjëse për Korenë e Jugut, vendin e saj të origjinës.
Shkak i pushimit ishte pjesëmarrja e bashkëshortëve Shroder javën e kaluar në pritjen e ambasadës ruse në Berlin, me rastin e festimit të 9 Majit, përvjetorit të fitores sovjetike në Luftën e Dytë Botërore.
I braktisur nga shumica e politikanëve gjermanë, në shenjë proteste kundër luftës së agresionit në Ukrainë, ish-kancelari dhe gruaja e tij u gjendën në shoqërinë e turpshme të dy eksponentëve të AfD, Partisë Nacionaliste të Ekstremit të Djathtë që mban marrëdhënie të mira me Putinin.
“Grupi ynë i kishte thënë qartë zonjës Schröder-Kim se përfaqësuesit tanë nuk duhet të marrin qëndrime për çështje të tilla të ndjeshme, si agresioni rus kundër Ukrainës”, – shpjegoi një zëdhënëse, duke njoftuar masën.
Prania e ish-kancelarit dhe e zonjës së tij në misionin diplomatik rus, në të njëjtën orë kur trupat e Moskës po bombardonin qytetet e Ukrainës, ngjalli kritika të ashpra për adresën e tij: “Si mundet një ish-kancelar gjerman të bjerë kaq poshtë dhe të festojë me rusët, ndërsa vrasin njerëz të pafajshëm dhe shkatërrojnë qytetet tona?”, pyeti ish-kampioni ukrainas i boksit, Wladimir Klitschko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



