Nga Gazeta ‘Si’- Kancelari gjerman Olaf Scholz, në fjalën hapëse në takimin për Procesin e Berlinit, përgëzoi Kosovën për lehtësimin e masave për kontrollet e mallrave serbe.
Kjo sipas Kancelarit çoi në zhbllokimin e CEFTA-s e cila do të mundësojë edhe aktivizimin e marrëveshjeve të tjera qe do të lehtësojnë shkëmbimet tregtare dhe procedurat për studentët.
“Dëshiroj të përgëzoj Kosovën për kontributin në këtë sukses duke vendosur që javën e kaluar të hapë një pikë kufitare për mallrat serbe. Dhe zhbllokimi i CEFTA-s nuk është i vetmi vendim që po marrim sot. Ju gjithashtu do të nënshkruani dy dokumente që do ta bëjnë jetën e përditshme të njerëzve më të lehtë. Së pari, një plan i ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal, një dokument themelor për thellimin e mëtejshëm të integrimit ekonomik duke prekur edhe aspektet sociale dhe të punës të bashkëpunimit dhe lëvizshmërisë. Kjo do ta bëjë më pak të komplikuar punën përtej kufijve dhe do t’ju sjellë dukshëm më afër standardeve të BE-së. Marrëveshja e dytë për aksesin në studim do të përmirësojë më tej lëvizshmërinë e studentëve”, shtoi ai.
Kancelari Scholz bëri apel që tashmë Beogradi dhe Prishtina të ecin përpara me dialogun. Ai tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është ende i formësuar nga konfliktet e kaluara dhe se është koha për t’i kapërcyer ato dhe për t’u kthyer drejt së ardhmes.
“Prandaj dua t’u them miqve tanë nga Beogradi dhe Prishtina, mos lejoni që e kaluara t’ju kthejë prapa nga rruga drejt një të ardhmeje paqësore dhe të begatë. Unë jam ende i bindur se ajo e ardhme është në BE, dhe ka vetëm një mënyrë për të arritur atje – zbatimin e plotë të marrëveshjeve që keni arritur tashmë. Ne jemi të përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe në frymën e bashkëpunimit dhe mjeteve paqësore. Kjo është ajo që përfaqëson Procesi i Berlinit”, tha Scholz.
I pranishëm nga Kosova është kryeministri Albin Kurti ndërsa nga Serbia, homologu i tij Millosh Vuçeviç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.