Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet del kundër idesë së krijimit të Shengenit Ballkanik, duke e cilësuar nismën e presidentit serb Aleksandar Vuçic si të dëmshëm.
“Është e papranueshme një nismë Rajonale që lë jashtë Kosovën dhe e pakonsultuar me të. Shqipëria s’duhet t’i japë frymëmarrje Serbisë në raport me Kosovën, por të jetë gjithmonë në krah të saj në raport me Serbinë. Një nismë e dëmshme që risjell idenë e ish-Jugosllavisë për një Konfederatë Ballkanike. Një nismë sjell një çorientim gjeopolitik. Shqiptarët janë të përcaktuar që në kohën e Rilindasve për të qenë pjesë e Europës, jo vetëm gjeografikisht, por dhe për tu bërë pjesë e BE-së. Kemi që nga viti 2014 që Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat, e presim hapjen e negociatave. Rilindja e Ramës dështoi për të disatën herë dhe këtë vit për hapjen e negociatave, e na servir një nismë mediokër e pa asnjë impakt për qytetarët”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Për PDIU-në, këto nisma duken si alternativa ndaj integrimit evropian, pra si paradhoma pritje që do të zvarrisin hyrjen në BE prandaj është më mirë t’i shmangim.
“Çorientim gjeopolitik – Ne kemi partner kryesor tregtar BE-në dhe vullneti i 98 për qind i Shqiptarëve është të shohim nga perëndimi, s’kemi asnjë arsye të thellojmë lidhjen me lindjen. Boll më me megallomaninë e liderit rajonal, ne duhet të kryejmë me kokën ulur detyrat e shtëpisë për të arritur standardet e BE-së, demokracinë funksionale, zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe betejën kundër kapjes së shtetit nga krimi dhe ekonomisë nga Oligarkët”, thuhet në deklaratën e PDIU-së.
Udhëheqësit e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut firmosën në Novi Sad marrëveshjen e përbashkët ku zotohen që të vendosin lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të shkëmbimit të mallrave. Në deklaratën e përbashkët theksohet se angazhimin për të realizuar Zonën Ekonomike Rajonale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor bazuar në gjithëpërfshirjen dhe në parimet e BE-së për “Katër Liritë”: lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, duke u bazuar në angazhimet e bëra nga vendet e rajonit përfshirë gjithashtu CEFTA, OBT si dhe Marrëveshjen e OBT-së për Lehtësimin e Tregtisë, MAP REA e të tjerë.
Ndërsa është vendosur që në 10 nëntor të mblidhen sërish, duke ftuar edhe Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.