Gazeta Si – Lëshimi i satelitit të parë spiun të Koresë së Veriut dështoi në mënyrë spektakolare. Raketa e re, “Chollima-1”, e cila supozohej të vinte në orbitë satelitin Malligyong-1 u rrëzua në Detin e Verdhë, pasi humbi shtytje për shkak të mosfunksionimit të shkëputjes së fazës së parë dhe të dytë të transportuesit.
Ishte agjencia e regjimit të Koresë së Veriut ajo që pranoi dështimin, e pamundur për t’u fshehur, pasi u vëzhgua nga sistemet e zbulimit të Koresë së Jugut dhe Japonisë.
Por për të galvanizuar frontin e brendshëm, propaganda e Phenianit njoftoi menjëherë se një nisje e re do të tentohet së shpejti.
I vetmi ngushëllim për Kim Jong-un, i cili javët e fundit kishte lavdëruar aftësitë e teknikëve të tij që kishin përgatitur satelitin e parë të zbulimit të Koresë së Veriut, është se raketa ka frikësuar popullsinë e Seulit dhe ka shkaktuar pasiguri në mbrojtjen ajrore deri në Japoni.
Në kryeqytetin e Koresë së Jugut, në orën 6.37 të mëngjesit ranë sirenat dhe në celularët e popullatës mbërriti “Alarmi Presidencial”, duke kërkuar përgatitjen për një evakuim të mundshëm.
Disa i zuri paniku: “Unë u përpoqa të telefonoja numrin e emergjencës, por ishte gjithmonë i zënë, interneti ishte gjithashtu shumë i ngadaltë, isha gati të dilja nga shtëpia dhe të vrapoja në një strehë, kur pashë në TV që alarmi ishte ç’aktivizuar”, – tha një banor i ri i Seulit për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
“Më parë nuk besoja në rrezikun e luftës, por pasi shoh se çfarë po ndodh në Ukrainë, fillova të mendoj se mund të na ndodhë edhe ne, se koreano-veriorët mund të përpiqeshin të na pushtonin, prandaj sot alarmi i celularit tim më frikësoi vërtet”, – i tha BBC-së një nënë e re nga Seuli, e cila, para kundër-urdhrit, kishte filluar të fuste furnizimet ushqimore në një thes për të shpëtuar.
Vetëm 10 minuta më vonë mbërriti kthjelltësia dhe Ministria e Brendshme pretendoi se kishte pasur një gabim në vlerësimin e kërcënimit. Kryebashkiaku i Seulit u kërkoi falje qytetarëve të tij, por pretendoi për shpejtësinë e njoftimit.
Alarmi i shkurtër u aktivizua edhe në ishullin japonez Okinawa, sepse trajektorja e raketës së Koresë së Veriut duhej të fluturonte mbi Detin e Verdhë dhe më pas të synonte drejt juglindjes.
Ditët e fundit, kur Pheniani kishte njoftuar nisjen e afërt të satelitit, kryeministri japonez Fumio Kishida, kishte vënë në gatishmëri maksimale mbrojtjen raketore me urdhër për të shkatërruar raketën në fluturim, nëse ajo fluturonte mbi territorin kombëtar.
Megjithatë, “Chollima-1” ndaloi keq në fluturim përpara se të ishte në gjendje të përmbushte misionin. Raketa dhe sateliti përfunduan në Detin e Verdhë, rreth 200 kilometra në perëndim të ishullit të Koresë së Jugut të Eocheongdos, tha Ministria e Mbrojtjes së Seulit.
Një operacion kërkimi për rrënojat ka filluar dhe koreano-jugorët kanë publikuar foto që tregojnë pjesë të gjetura të transportuesit verior.
Në pamje mund të dallohet një enë të madhe cilindrike e lidhur me një vozë të verdhë për të parandaluar fundosjen e saj.
Është një pjesë e raketës, një seksion lidhës midis dy fazave, shpjegon George William Herbert, profesor në “Center for Nonproliferation Studies”.
Duke vlerësuar rrënojat e para, eksperti beson se raketa e Koresë së Veriut u fuqizua nga karburant i lëngshëm, pra, jo lloji më i fundit i raketës për qëllime lufte të zhvilluar nga teknikët e Kim-it, të cilët përdorin lëndë djegëse të ngurtë për të shkurtuar procedurat e lëshimit.
Lee Choon Geun, një studiues në Institutin e Politikave të Shkencës dhe Teknologjisë të Koresë së Jugut, është i kënaqur.
Ai thotë se kjo është një mundësi e rrallë dhe me fat për të studiuar nga afër një raketë të Koresë së Veriut dhe ndoshta edhe satelitin (nëse rikthehet).
Lee nuk e beson propagandën e Phenianit për mundësinë e përsëritjes së përpjekjes për të hedhur në orbitë në një afat të shkurtër: do të duhen muaj për të zgjidhur mosfunksionimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


