Ngjarje

Satelitët, Rama: Radiografi e Shqipërisë. Program për punësimin e të rinjve në shërbimet digjitale, paga më të larta se rajoni

Nga Gazeta ‘SI’ - Kryeministri Edi Rama e quajti shërbimin e dy satelitëve shqiptar në hapësirë një “radiografi”, ku me anë të fotove të tyre kuptohet gjendja e “mushkërive dhe zemrës” së Shqipërisë.

6 muaj pas lëshimit të “Albania 1” dhe “Albania 2”, Rama tha se imazheria që vjen nga hapësira e bën të pamundur abuzimin në toka, përmbytje, zjarre, ndërtim dhe në zbulimin e kultivimit të kanabisit.

Duke njoftuar se shumë shpejt qeveria do të miratojë një program për të rinjtë në fushën e teknologjisë, ai i ftoi ata të aplikojnë në agjencitë shtetërore e të punojnë për satelitët, Kadastrën etj dhe do të paguhen më mirë se në privat dhe më mirë se në rajon.

” Shteti shqiptar është konkurrenti më i fortë në treg për pagat. Një paketë e re gati, që asnjë i ri dhe e re nga teknologia të mos e shohë largimin nga Shqipëria dhe privatin si dy sektorët e vet. Të bëhen pjesë e agjencive shtetërore. Ky është qëllimi. Kush do punojë për shtetin shqiptar për të krijuar një republikë ku mbrojtja kibernetike, digjitalizimi janë ekselente do të paguhet më mirë se sa kudo tjetër në rajon”, tha kryeministri.

Ai nuk harroi të përmendë edhe Kadastrën, 48 orë pas mbylljes së shërbimeve të saj dhe kalimin në digjitale.

Në prezantimin e punës së bërë nga dy satelitët ishte dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku e cila tha se ato kanë arritur të mbulojnë me imazheri 47% të territorit shqiptar gjatë gjashtë muajve të kaluar. Ajo shtoi se ndonëse të gjithë u tallën dhe bënë “meme” me satelitët, sot është realitet.

“Realizimi i shërbimit satelitor është një tjetër sfidë, me të cilën jemi përballur me dëshirën më të madhe. E kanë përfolur, janë tallur, janë bërë meme. Sot është një realitet dhe Shqipëria do të përfitojë maksimalisht, për të mbledhur informacion për tokën, ujin, nëntokën, ajrin, detit, çdo informacion që është me vlerë për të gjithë sektorët. Jemi bërë vendi i dytë në rajon pas Sllovenisë, që kemi satelitë. Shërbimi satelitor do t’i mundësojë qeverisë autoritet të plotë menaxhimi. Objekti kryesor është monitorimi i territorit dhe ofrimi i informacioneve nga ky proces. Shqipëria është pjesë e ekonomisë së re të hapësirës. Përmbush ambiciet tona si vend anëtar i NATOS-s.”, tha Balluku.

Drejtoresha e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Gentjana Maçi prezantoi disa pamje të kapura nga satelitët, në raste përmbytjesh dhe zjarresh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë