Policia italiane ka sekuestruar sasinë më të madhe të kokainës të kapur ndonjëherë në shtetin fqinj, 5,2 ton. Operacioni është kryer nga Guardia di Finanza dhe mësohet se në këtë operacion janë vënë në pranga 20 persona, mes të cilëve edhe një shtetas shqiptar.
Operacioni ka nisur mbrëmjen e së martës pas dyshimeve të ngritura për një anije mallrash, e cila mbante flamurin e Republikës së Palau, nga ishujt e Paqësorit, që ishte pozicionuar pranë ujërave territoriale italiane. Më pas, një anije peshkimi u nis drejt saj dhe ndodhi shkëmbimi. Guardia di Finanza ndërhyri pasi anija e peshkimit u fut sërish në ujërat territoriale italiane dhe arriti të zbulojë sasinë e jashtëzakonshme të kokainës, duke vënë në pranga edhe 5 persona, mes të cilëve edhe një shqiptar.
Më pas, autoritetet italiane policore u vunë në ndjekje të anijes së mallrave, e cila tentoi të largohej, por u bë e mundur shoqërimi në portin e Palermos. Ekuipazhi i saj përbëhej nga 15 personash, ukrainas, turq dhe nga Azerbajxhani.
Sipas njoftimit të Guardia di Finanza-s, ndërsa kjo sasi kokaine do të kishte dalë në treg do të kapte një vlerë rreth 1 miliard euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




