Saranda u zgjua mëngjesin e kësaj të hëne nga zhurma e shpërthimit të fuqishëm në hotelin “Bizant” që përdorej vetëm në verë, duke shkaktuar panik tek të gjithë qytetarët.
Sasia e tritolit u vendos në hyrjen e hotelit në pronësi të Spiro Çabirit në bulevardin e qytetit në orën 05:55, ndërsa shpërthimi ka shkatuar dëme edhe tek godinat përreth. Fatmirësisht nga ngjarja e rëndë nuk ka persona të lënduar.
Policia ka shoqëruar në komisariat disa persona dhe një prej tyre është djali i Spiro Çabirit, pronarit të hotelit. Pas shoqërimit, atij i është bllokuar edhe makina.
Objekti që funksionon si biznes që prej vitit 2011 i regjistruar në emër të Miranda Çabirit, vajza e njërit prej pronarëve, ka pasur një seri të gjatë problemesh pronësie mes tre bashkëpronarëve të tij Spiro Çabiri, Dhimitër Evangjeliu, i cili është njëkohësisht edhe shtetas grek dhe Vangjel Shutka, i ndarë nga jeta së fundmi.
Godina është pronësuar me ligjin e privatizimit në 1991 dhe është ndërtuar në vitin 1996. Në 2002, fillojnë konfliktet e pronësisë mbi truallin e ndërtimit dhe vlerën e biznesit.
Gjykata i ka njohur shtetasit Evangjeliu 90% të pronësisë dhe ka lënë në favor të dy të tjerëve 10 % e mbetur. Objekti është vlerësuar me vlerën monetare 920 mijë euro dhe Evangjeliu detyrohej t’i paguante një këst dy aksionerëve të tjerë nga 46 mijë euro për 10% të pronësisë, por çështja është kundërshtuar sërish në gjykatë nga Çabiri dhe kalvari i gjyqeve dhe konflikteve vijon prej 21 vitesh.
Nuk dihet nëse shpërthimi ka lidhje me këto konflikte, por policia po i heton ato si pista kryesore. Shpërthimi është dëgjuar në të gjithë Sarandën dhe banorët raportojnë se ka shkatuar lëkundje të ngjashme me tërmetin.









Sasia e eksplozivit të përdorur ka qenë e madhe, diku te 5 kg, pasi përveçse ka shkatërruar hotelin dhe picerinë, ka shkatuar dëme në pothuaj 20 biznese të tjera të shëtitores, duke u dëgjuar në të gjithë Sarandën.
Ekspertë xhenierë janë thirrur nga Tirana për të bërë një vlerësim më të saktë të sasisë së tritolit që është vendosur në kolonat e hotelit dhe për të mësuar mekanizmin e vendosjes së tij.
Sipas burimeve policore në rrugë jo zyrtare, personi/at që ka vendosur tritolin, besohet të ketë punuar për rreth 2 orë, duke bërë lidhjen e fijeve.
Në njoftimin e policisë, thuhet se për këtë ngjarje kriminale është ngritur një grupi i posaçëm hetimor me ekspertë më të mirë të Drejtorisë së Policisë së Vlorës dhe nga Departamenti i Policisë Kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



