Nga Gazeta ‘Si’- Një sherr masiv ka ndodhur rreth orës 01:35, në fshatin Gjashtë në Sarandë , ku disa persona janë konfliktuar fizikisht duke përdorur sende të forta, mes tyre dhe punonjës policie jashtë shërbimit.
Si pasojë e konfliktit, kanë mbetur të dëmtuar 2 persona të identifikuar me inicialet E. N. dhe A. N., të cilët, pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme.
Gjithashtu, në Komisariatin e Policisë janë shoqëruar disa prej shtetasve të përfshirë në konflikt, përfshirë punonjësit e Policisë jashtë shërbimit.
Efektivët të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në përplasje dyshohet të jenë A.S., efektiv në Komisariatin e Policisë Himarë, K.S. dhe E.S., të dy efektivë të Policisë Kufitare Sarandë, R.S., student në Akademinë e Policisë Tiranë, si dhe I.D., ish-efektiv i Policisë Sarandë.
Në vendin e ngjarjes janë konstatuar shenja të përdorimit të armëve të zjarrit.
Blutë në njoftimin e tyre zyrtar ende nuk kanë konfirmuar ose hedhur poshtë pretendimet për të shtëna me armë zjarri.
“Më datë 02.01.2025, rreth orës 01:35, në fshatin Gjashtë, Sarandë, dyshohet se janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, duke përdorur sende të forta, disa shtetas, ndërmjet tyre dhe punonjës policie jashtë shërbimit. Si pasojë e konfliktit, kanë mbetur të dëmtuar shtetasit E. N. dhe A. N., të cilët, pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Automjetet e përfshira në konflikt kanë pësuar dëmtime nga plumbat, dhe pranë tyre janë gjetur disa gëzhoja.
Policia po vijon hetimet, duke analizuar kamerat e sigurisë dhe duke këqyrur vendin e ngjarjes për të identifikuar të gjithë të përfshirët. Kontrollet për gjetjen e personave të shpallur në kërkim janë ende në vazhdim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.