Ka ndodhur

Sarandë / 42-vjeçari vret shokun e tij në oborrin e banesës, e goditi me shishe qelqi

Gazeta Si - Një sherr mes dy personave, miq me njëri-tjetrin në Sarandë i ka marrë jetën një 65-vjeçari në fshatin Gjashtë të qytetit bregdetar.

Sipas policisë, 42-vjeçari Admir Ferik Beqiri, goditi me shishe qelqi 65-vjeçarin Gëzim Bizoni, i cili ndërroi jetë në vendngjarje, në oborrin e banesës së tij.

Ndërkohë, autori i dyshuar është shoqëruar nga policia. Dyshohet se ai ka qenë në gjendje të dehur kur goditi me shishe qelqi dhe sende të forta 65-vjeçarin.

Viktima, Gëzim Bizoni, jetonte i vetëm në banesë, pasi ishte divorcuar dhe një vit më parë kishte marrë shokun e tij Admir Ferik Beqiri, të jetonin së bashku.

Kohët e fundit, dyshohet që viktima i kishte kërkuar 42-vjeçarit, njëherësh autorit të largohej nga banesa. Ky i fundit sipas hetimeve paraprake vuante nga problemet me alkoolin.

Në gjendje të dehur autori (dyshohet nën efekt të lëndëve narkotike), ka goditur për vdekje me një shishe qelqi dhe sende të forta 65-vjeçarin Gëzim Bizoni. Grupi hetimor është duke hetuar shkaqet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë