Gazeta Si - Katër persona kanë rënë në pranga në Sarandë, pasi akuzohen e rrëmbyen, plagosën dhe mbajtën peng një 39-vjeçar për motive të dobëta.
I dëmtuari ka dëmtime të rënda në fytyrë dhe trup, thyerje të hundës, thyerje të dhëmbit, thyerje të njërit gisht. Ai është shtetasi me iniciale G.O., nga fshati Verve, Bashkia Konispol. Nga ky konstatim policia ka nisur hetimin për kapje e autorëve të ngjarjes.
Policia tha se pas kësaj ngjarjeje janë arrestuar katër persona të dyshuar, ndërsa bashkëpunëtori i tyre A. N., 39 vjeç është shpallur në kërkim.
Shtetasit e arrestuar janë: P.N., 30 vjeç (me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve), A. N., 21 vjeç, A. N., 44 vjeç dhe A. N., 21 vjeç (të afërm të njëri-tjetrit), të gjithë banues në fshatin Shëndelli, Sarandë.
Nga veprimet hetimore, dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë përplasur me dashje automjetin që drejtonte shtetasi G. O., të cilin e kanë plagosur duke e goditur me sende të forta, e më pas e kanë futur në automjetin e tyre, duke e mbajtur aty me forcë, dhe më pas e kanë lënë pa ndjenja në rrugë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjete që përdoreshin nga të arrestuarit dhe 7 aparate celulare.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Plagosja e rendë me dashje”, “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.