Gazeta Si – Një konflikt familjar mes dy personave ka përfunduar në plagosje me thikë në qytetin e Sarandës.
Policia njofton se 26-vjeçari me iniciale E.N., ka goditur me mjet prerës ish-burrin e motrës, 44-vjeç, K.B për arsye të paqarta deri tani.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e të mërkurës (16 korrik) rreth orës 16:00 në në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar. Fatmirësisht 44-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i riu ka rënë në prangat e policisë.
Sipas burimeve paraprake, të dy personat janë të njohur në rekordet e policisë për të kaluarën e tyre kriminale.
K.B., ka qenë më parë i dënuar me 5 vjet e 4 muaj burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafik ndërkombëtar droge, pas një operacioni në vitin 2008, ku në plazhin e Manastirit u kap një skaf me 278 kg marijuanë. Ai është arrestuar sërish në vitin 2017 për vjedhje në zonat kufitare me Greqinë.
Nga ana tjetër, edhe E.N., ka precedentë penalë. Ai u arrestua në tetor të vitit 2024 si autor i disa vjedhjeve dhe gjatë ndalimit iu gjetën një thikë dhe një sëpatë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe arrestuan në flagrancë shtetasin E. N., 26 vjeç, banues në Sarandë, pasi më datë 16.07.2025, rreth orës 16:10, në lagjen nr. 4, është konfliktuar me ish-burrin e motrës së tij, shtetasin K. B., 44 vjeç, banues në Delvinë, të cilin e ka goditur me një mjet prerës, duke i shkaktuar dëmtime trupore. 44-vjeçari ka marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




