“Sarajet e Toptanasve”, edhe pse ndodhen në qendër të kryeqytetit, pak metra larg Ministrisë së Brendshme të populluar nga shumë policë, dhe pse është monument kulture që mbrohet me ligj nga shteti, nuk mundën t’u shpëtojnë flakëve të qëllimshme.
Akademiku Emin Riza, specialist i banesës popullore në kohën kur godina u shpall monument kulture në vitet 1970 dhe që ka punuar për disa dekada te Sarajet që shërbyen edhe si Drejtori e Institutit të Monumenteve deri në vitin 2000, thotë për Gazetën “Si” se tek kjo godinë duhet të kishte infrastrukturë mbrojtëse edhe pse në media po i mëshohet faktit që ajo iu është kthyer pronarëve.
“Nuk ka lidhje nëse i përket privatit apo shtetit. Ajo duhet të ketë infrastrukturë mbrojtëse. Kur ka rënë zjarri, siç duket nuk ka pasur roje”, thotë Riza për Gazetën “Si”.
Pas viteve 2000 kjo godinë iu kthye ish-pronarëve të saj, por ligji për trashëgiminë thotë se ajo sërish gëzon statusin monument kulture dhe si i tillë duhej mbrojtur.
“Monumentet e kulturës duhet të kenë një sistem mbrojtje ose tregues për fatkeqësitë natyrore siç është alarmi për shembull”, thotë për Gazetën “Si” Apollon Baçe, ish-drejtor i Inspektoratit të Monumenteve Kulturore.
Ai shton se është shumë e rëndësishme që monumente të tilla si Sarajet të kenë një kujdestar që t’i mirëmbajë. A i kishin këto Sarajet e Toptanëve?
“Sarajet nuk kanë pasur kurrë sisteme sigurie dhe gjatë periudhës që kam qenë drejtor kanë pasur vetëm një kujdestar që i mirëmbante, por kjo gjë u ndryshua më vonë kur mirëmbajtja e monumenteve kulturore u kalua në një tender të përgjithshëm”.
Gjithashtu Baçe mendon se duhet të rikthehet metoda e vjetër ku çdo monument kulture duhet të ketë një kujdestar, “mundësisht dikë që e njeh zonën ku është monumenti i kulturës”.
Kritik për mosmbrojtjen e monumentit është edhe arkitekti Astrit Seranaj.
“Është në mbrojtje nga Ministria e Kulturës. Nuk di të them se kamerat janë të detyrueshme, por elementët e mbrojtjes ndaj zjarrit po, në një kohë që i kanë prerë korentin, (ndoshta dhe ujin)”, thotë Seranaj për Gazetën Si.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, me anë të një postimi në mesditën e së martës, duke dënuar zjarrvënien tha se është bërë kallëzim në polici, por nuk komenton lidhur me ruajtjen dhe mbrojtjen nga shteti të këtij monumenti.
Kompleksi me arkitekturë me elemente orientale dhe dekoracione me motive floreale u ndërtua më 1833 si shtëpi pritëse për miqtë e familjes së Selim Pashë Toptanit dhe do të shpallej monument kulture më 1973.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.