Futboll

Santos pezullon fanellën numër 10, pasuria e Pelé i kalon 100 milionë dollarë

Gazeta Si – Ndarja nga jeta e legjendës Pelé është kryefjala e diskutimeve këto ditë, në botën e futbollit dhe jo vetëm. E gjitha bota i bën homazh atij që të gjithë e konsiderojnë më të mirin e të gjitha kohërave, pavarësisht se në Argjentinë mendojnë ndryshe.

Santosi, klubi ku Pelé kaloi thuajse gjithë karrierën, ka vendosur të pezullojë fanellën me numrin 10 pas vdekjes së Mbretit. Vendimi është bërë i ditur nga presidenti i këtij klubi, Andre’s Rueda. Familja e “O Rei” kërkoi që kjo fanellë të tërhiqet dhe përgjigja erdhi menjëherë.

“Për vitin 2023 fanella me numrin 10 e Santosit është e pezulluar, – ka shpjeguar Rueda. – Në vazhdim do të flasim me këshillin e klubit dhe do të vendosim, nëse do ta tërheqim përfundimisht atë fanellë”.

Në këtë situatë, e sigurt është se Yeferson Soteldo duhet të ndërrojë numër, pasi aktualisht është ai “titullari” i numrit 10 të Santosit. “Të vesh dhe të kujdesem për fanellën tënde me dashuri dhe respekt është një mision që më nderon, – kishte shkruar në Instagram lojtari venezuelian pas vdekjes së Pelé. – Sot po na lë, por trashëgimia jote dhe kujtimet e tua mbeten. Faleminderit për gjithçka!”

‘As’ ndërkohë ka bërë llogaritë e pasurisë që lë pas ‘O Rei’. Bilanci flet për një trashëgimi të akumuluar nga legjenda braziliane që kap shifrën e 100 milionë dollarëve. Më shumë janë përfitime të siguruara pas karrierës si futbollist, nga sponsorizimet dhe pjesëmarrjet në evente të ndryshme.

Edhe pse kur luante ishte më i paguari me Santosin dhe Kosmos, Pelé ka përfituar më shumë ekonomimisht kur e la futbollin. Sipas “Celebrity Net Worth”, ‘O Rei’ i ka investuar kursimet e tij në sektorin imobiliar. Ai bëri një investim prej 100 mijë dollarësh në Nju Jork, që në 2008-ën arriti ta shiste për gati 3 milionë dollarë. Më shumë të ardhura Pelé i ka siguruar nga publiciteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë