Gazeta Si – Në Greqi, ishujt e Cyclades pranë Santorinit vazhdojnë të dridhen. Në fakt gjatë natës janë regjistruar dy tërmete me magnitudë 4.5 dhe 4.6 ballë.
Në rastin e parë, i cili ndodhi në orën 3.30 të mëngjesit, epiqendra ishte në shtrirjen e detit midis Astypalea dhe Kera.
Në të dytin, tërmeti u lokalizua në ujërat në lindje të Santorinit. Ndërkohë, mëngjesin e kësaj të premteje, u regjistrua edhe tërmeti më i fortë deri në këto orë, me magnitudë 4.8, që ra rreth orës 09:30 me kohën lokale.
Dhe në destinacionin e njohur turistik, nga e enjtja Ministria e Mbrojtjes Civile shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për të “adresuar nevojat dhe menaxhimin e pasojave” të aktivitetit të vazhdueshëm sizmik që po prek zonën.
Ndërkohë, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ka zbarkuar në ishullin e Santorinit që po përjeton aktivitetet të lartë sizmik prej 10 ditësh.
Mitsotakis shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes Civile dhe do të informohet në vend për aktivitetin sizmik në Detin Egje.
Kreu i qeverisë greke takoi fillimisht ekipin e zjarrfikësve të cilët po qëndrojnë në gatishmëri në rast të çdo situate.
Më pas, Mitsotakis do të shkojë në spitalin e ishullit, si dhe do të takojë forcat e tjera të emergjencave.
Po kështu, do të ketë një takim edhe me ekspertët sizmiologë, të cilët po qëndrojnë në ishull prej disa ditësh duke ndjekur situatën me tërmetet.
Në dhjetë ditët e fundit, mbi 1000 tërmete me magnitudë më të madhe se 2 ballë janë regjistruar në Ciklade dhe ato të natës së kaluar janë ndër më të fortët që kanë ndodhur deri më tani.
Gjendja e jashtëzakonshme do të qëndrojë në fuqi deri më 1 mars. Lëkundjet e vazhdueshme po rrisin rrezikun e rënies së shkëmbinjve dhe për këtë arsye banorëve u është kërkuar që të qëndrojnë larg zonave të rrezikuara nga rrëshqitja e dheut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




