Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur platformën e Twitter-it dhe ditën e shtunë për të ndarë dy lajme të rëndësishme me qytetarët shqiptarë; dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj – dorëheqje të cilën siç ka bërë edhe vetë të ditur Rama, e ka pranuar –dhe emërimin e ministrit të ri të Brendshëm, gjeneralit Sandër Lleshi, i cili deri më tani ka mbajtur detyrën e këshilltarit të kryeministrit në çështjet e sigurisë .Gjenerali Sandër Lleshi, i cili ka shërbyer si komandant i kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë, në periudhën 1996 deri në vitin 2000 dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”.
Nga viti 2003 e deri më 2006 0ën Lleshi shërbeu si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani. Emri i tij u lakua në vitin 2012, kur pati një përplasje me ministrin e Mbrojtjes së asaj kohe, Arben Imami dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Nga kjo përplasje gjenerali Lleshi do të shkarkohej nga detyra e i zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë me propozim të Imamit dhe dekret të presidentit të atëhershëm Bujar Nishani.Në maj të vitit 2013, Lleshi u shkarkua nga detyra, por opozita e asaj kohe, maxhoranca e sotme, e përkrahu dhe pak muaj më vonë, me fitimin e zgjedhjeve nga e Majta, kryeministri Edi Rama e bën Sandër Lleshin pjesë të kabinetit të tij, si këshilltar për Sigurinë.
Gjenerali nisi më pas edhe një proces gjyqësor dhe pas katër vitesh Gjykata Administrative e Apelit, e pranoi padinë e gjeneralit Lleshi, duke e kthyer këtë të fundit në detyrën e zv/Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, apo në një tjetër detyrë në përputhje me gradën që mban. Gjykata detyroi gjithashtu Ministrinë e Mbrojtjes, si palë e paditur, t’i paguante Lleshit, pagën nga maji i vitit 2013 deri në sistemimin e tij në detyrën e Zv/Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.Pesë vjet më parë, kryeministri Rama do të deklaronte se emrin e gjeneralit Sandër Lleshi e kishte dëgjuar së pari të artikulohej nga shkrimtari Ismail Kadare, i cili e kishte propozuar përpresident të Republikës.
“Emrin e Sandër Lleshit e kam dëgjuar për herë të parë nga Ismail Kadare, i cili ia sugjeroi palëve si një kandidaturë të spikatur për President të Republikës një vit më parë. Më vonë munda ta çmoj përmes medieve kur denoncoi publikisht rrënimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe degradimin e rëndë të drejtimit të ushtrisë sonë.”, do të shprehej atëherë Rama, ndërsa vlerësonte arsimimin e tij perëndimor dhe e çmonte si njohës të mirë të historisë
“dhe bartës i modestisë intelektuale që karakterizon të diturit, zotërues i thellë i fushës jo vetëm nga librat po edhe nga rrugëtimi i një karriere të gjatë – nisur si fëmijë i një familjeje të varfër nga veriu në derën e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” dhe ndërprerë brutalisht në pozicionin e zëvendës Shtabit të Përgjithshëm nga arroganca e injorancës së pushtetit në ikje -, Sandër Lleshi ka pranuar të jetë këshilltari im për mbrojtjen në kryeministri.”
Lleshi e nisi formimin ushtarak në vitin 1978 dhe e ëprfundoi më 1985-ën, ndërsa kreu shkollën Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Akademinë Ushtarake, ndërsa nga viti 1994 dhepër pesë vite me radhë kreu një së kursesh në Vjenë e Gjermani .
Në 2008-n, gjeneral Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani; Ndërsa në 2011-ën përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.